Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës për hendbolliste, Agron Shabani pranon se Danimarka është favorite në ndeshjen hapëse të fazës grupore të kualifikimeve për “Euro 2024”. Por Shabani insiston se Kosova në Danimarkë nuk ka udhëtuar me flamur të bardhë. Ai ka theksuar se Kosova është rritur në krahasim me vitet e kaluara. Kosova luan të enjten prej orës 21:00 kundër Danimarkës. Ndeshja e xhiros së parë të fazës grupore të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm zhvillohet në qytetin Horsens të Danimarkës. Danimarka është favorite e madhe, por te Kosova ka vendosmëri për angazhim maksimal në fushën e lojës.
“Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë lehtë, por nuk do të dorëzohemi. Unë dhe vajzat e dimë se na presin dy ndeshje shumë të vështira ndaj Danimarkës, njërës prej kombëtareve më të mira botërore. Te Danimarka janë lojtaret që luajnë në ekipet më të mira evropiane. Kemi të bëjmë me lojtare me përvojë të madhe ndërkombëtare, ku vitet e fundit ishin thuajse në secilën finale evropiane dhe botërore”, ka thënë Shabani.
Vjet danezet luajtën në finale të Evropianit, ndërsa në vitin 2020 ishin në gjysmëfinale. Sa u takon Botërorëve, në vitin 2021 Danimarka ishte e treta. Shabani e ka këtë parasysh dhe thotë se Kosova do të jetë kundërshtare e fortë për Danimarkën.
“Ne kemi rritje si kombëtare dhe po ashtu kemi lojtare që janë në liga të forta evropiane. Kemi disa emra të rinj në Kombëtare në krahasim me grumbullimin e kaluar dhe po shikojmë para drejt një jave shumë aktive. Presim angazhim maksimal të vajzave tona”, ka theksuar selektori Shabani.
Selektori Shabani është bazuar në lojtare të konfirmuara, tri prej të cilave luajnë pikërisht në elitën e Danimarkës. Te Kosova ka lojtare edhe nga klubet norvegjeze, gjermane, franceze e zvicerane dhe po ashtu lojtare të klubeve tona. Portierja Aurora Kryeziu, që bën karrierë në Gjermani është emër i ri te Kosova. Për herë të parë janë ftuar edhe Arlinda Dinarica e Istogut dhe Dafina Mustafa e skuadrës zvicerane Bruehl.
Menjëherë të shtunën prej orës 20:15 është ndeshja e dytë me Danimarkën, në Prishtinë.