Më 11 apo 12 tetor të këtij viti përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e luan ndeshjen e parë në kualifikimet për “Euro 2024”. Hendbollistet e Kosovës do të jenë mysafire të hendbollisteve më të mira të Danimarkës. Apo prej më të mirave.
Ka pak gjasa që Danimarka ta aktivizojë formacionin më të fortë në atë ndeshje të tetorit. Dallimi në cilësi mes dy përfaqësueseve është shumë i madh. Derisa Danimarka është superfuqi botërore e hendbollit të femrave, Kosova po bën përpjekje për të dalë nga niveli inferior. Prandaj dy ndeshjet e tetorit, Danimarkës mund t’i shërbejnë edhe për t’ua dhënë rastin lojtareve që kanë më pak hapësirë. Fitoret e danezeve as që vihen në dyshim.
Danimarka në Botërorin e fundit, të mbajtur në vitin 2021, ishte e treta. Në Evropianin e fundit, vjet, arriti deri në finale. Danimarka mburret me tri të artat olimpike, gjashtë medaljet botërore (një e artë) dhe gjashtë medaljet evropiane (tri të arta). Kosova mburret që arriti në fazën e dytë të kualifikimeve për Botërorin 2023, ku këtë muaj pësoi dy humbje të thella nga Polonia, rivalja tjetër e grupit kualifikues për “Euro 2024”.
Kosova e Danimarka luajnë për herë të parë në kualifikime. Por lidhja e hendbollit mes dy vendeve është goxha e fortë. Në Danimarkë janë rritur e luajnë ende hendbollistet më të mira që i ka Kosova.
Kapitenja Leonora Demaj dhe “truri” i përfaqësueses, Marigona Hajdari, janë pjesë e skuadrës elitare daneze, Ringkobing. Motra më e vogël e Marigonës, Arlinda Hajdari, luan te skuadra tjetër daneze, Bjerringbro. Kjo skuadër ka siguruar promovimin në elitë për edicionin e ardhshëm. Marigona në verë largohet nga Ringkobingu dhe do ta vazhdojë karrierën në ndonjë skuadër më të madhe daneze. Rina Rexhepi është tjetër lojtare e rritur në Danimarkë që herë pas here paraqitet te Kosova. Ka edhe të tjera.
Pra niveli superior i hendbollit të femrave në Danimarkë i shërben edhe Kosovës. Danimarka ia ofron Kosovës lojtaret më të mira, Demajn dhe motrat Hajdari. Te Kosova llogaritin shumë edhe në Mirela Gjikokajn që për edicionin e ardhshëm ka siguruar promovimin në elitën e Norvegjisë, vendit që hendbollin e femrave e ka më të zhvilluarin. Te Kosova ka lojtare edhe nga Zvicra, Gjermania, Franca. Por baza dhe forca është në Danimarkë e Norvegji.
Kosovës i duhet një fitore për të siguruar Evropianin. Pas një viti, në prill 2024, Kosova i luan dy ndeshje me Poloninë. Ndaj saj gjasat vlerësohen më të mëdha, ndonëse së fundi polaket i fituan me rezultat të thellë dy ndeshjet me Kosovën.
“Me Poloninë luajtëm dy ndeshje dhe e kemi parë se cili është niveli evropian. E kemi parë që na mungojnë disa gjëra për të arritur në nivelin e Polonisë. Në grup e kemi edhe Danimarkën, që pa diskutim është një prej përfaqësueseve më të forta në botë për momentin. Prandaj grupi është shumë i vështirë. Për ne është me rëndësi që të kemi angazhim maksimal dhe t’i tregojmë vlerat tona si ekip. Rrugëtimi drejt Kampionatit Evropian është i vështirë, mirëpo pasi ka gjasa edhe nga vendi i tretë, nuk është i pamundur”, ka thënë Marigona Hajdari.
Edhe Demaj ka pranuar superioritetin e Danimarkës.
“Ne kemi humbur ndaj Polonisë së fundi, ndërsa Danimarka është disa nivele më lart se Polonia. Kështu që do të jetë shumë vështirë. Rastin tonë duhet ta kërkojmë në ndeshjen në shtëpi ndaj Polonisë. Në disa momente kemi dëshmuar që me angazhim maksimal mund të përballemi me sukses me Poloninë. Për ta bërë këtë duhet të rriten konkurrenca dhe cilësia në disa pozita në kombëtaren tonë. Natyrisht përkushtimi do të jetë maksimal për paraqitje sa më të mira”, ka thënë Leonora Demaj.
Vështirë se Kosova ndonjëherë do të mund ta rivalizojë Danimarkën sa i takon hendbollit. Por Kosova edhe në të ardhmen mund të përfitojë nga niveli superior i këtij sporti në Danimarkë.