Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do t’i luajë javën tjetër dy ndeshjet më të mëdha deri më tani. Përballë hendbollisteve më të mira të Kosovës do të jetë Danimarka, superfuqia e këtij sporti.
Në Evropianin e vitit të kaluar, Danimarka ishte në finale. Në Botërorin e vitit 2021 ishte e treta. Lista e sukseseve të Danimarkës është e gjatë, ndërsa gjasat e Kosovës për sukses në ndeshjet me Danimarkën thuajse nuk ekzistojnë.
Selektori i Kosovës, Agron Shabani të martën publikoi listën për ndeshjet që u takojnë kualifikimeve për “Euro 2024”. Pritjet më të mëdha sërish janë nga tri hendbollistet që bëjnë karrierë pikërisht në elitën daneze, motrat Marigona e Arlinda Hajdari, si dhe kapitenia Leonora Demaj. Pritet shumë edhe nga Mirela Gjikokaj, që luan në elitën e Norvegjisë.
Shabani ka ftuar 16 hendbolliste, tri prej të cilave janë debutuese. Bëhet fjalë për portieren e re, Aurora Kryeziu, si dhe për lojtaret Arlinda Dinarica e Dafina Mustafa. Kryeziu bën karrierë aktualisht në kategorinë e tretë gjermane. Dinarica, që luan në pozitën e alos, është pjesë e Istogut. Mustafa luan në Zvicër për skuadrën Bruehl.
12 prej lojtareve të ftuara bëjnë karrierë në klube evropiane. Kosova ka hendbolliste në Danimarkë, Norvegji, Gjermani, Zvicër e Francë. Katër lojtare janë të Istogut, që në fundjavë kaloi në gara evropiane. Pjesë e Istogut dhe e Kosovës është edhe malaziasja Natalija Milatoviq.
Më 12 tetor, Danimarka e Kosova përballen në Horsens. Ndërsa më 14 tetor është ndeshja në Prishtinë.
Në Grupin 8 të kualifikimeve për “Euro 2024” bën pjesë edhe Polonia. Me Poloninë, Kosova përballet më vonë.
Kosova është në kërkim të paraqitjes së parë në një ngjarje të madhe. Deri më tani nuk i është afruar këtij synimi.