Sport

Kosova nis bisedimet për miqësore me San Marinon, Lituaninë dhe Lihtenshtajnin

Prishtinë, 27 janar – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur bisedimet për ndeshje miqësore me San Marinon, Lituaninë dhe Lihtenshtajnin. Kështu ka thënë një zyrtar i lartë i FFK-së të mërkurën për KOHËN në kushte anonimiteti. Ndërkohë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, për KOHËN as nuk e ka mohuar e as pohuar një gjë të tillë. Ai ka thënë se përfaqësuesja e Kosovës më 25 mars do të luajë miqësore me një kundërshtar më poshtë të ranguar se “Dardanët” në ranglistën e FIFA-s. Kosova është në vendin e 117, Lituania është e 129-ta në këtë ranglistë. Lihtenshtajni i 181-ti, ndërsa San Marino i fundit (210).

“UEFA është organizatore e këtyre ndeshjeve miqësore, ndërsa ajo që mund të konfirmoj është se kanë nisur bisedimet për miqësore me San Marinon, Lituaninë dhe Lihtenshtajnin. Ka edhe përfaqësuese të tjera potenciale, por kundërshtari i Kosovës do të jetë një prej këtyre tri përfaqësueseve. Është kërkesë e përzgjedhësit Bernard Challandes që të luajmë miqësore me një kundërshtar më të dobët në letër. Jemi në proces të bisedimeve dhe shumë shpejt do të vendosim. Do të shohim si janë mundësitë, pra a do të luhet në Kosovë apo në ndonjë shtet tjetër”, i ka thënë KOHËS një zyrtar i FFK-së.

Kosova ndeshjen e fundit miqësore e luajti ndaj Shqipërisë më 11 nëntor të vitit ë kaluar. E humbi me rezultatin 2:1. Në janar të vitit 2020 luajti edhe me ekipin B të Suedisë, kundërshtaren e parë në ciklin e ri kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Ky cikël kualifikues nis në fund të muajit mars.

“Do të tentojmë që ndeshjen ta organizojmë ne pasi luajmë në shtëpi ndeshjen e parë dhe për të shmangur udhëtimet shpresojmë të arrijmë marrëveshje”, ka shtuar burimi i KOHËS.

Kosova më 28 mars e luan ndeshjen e parë të Grupit B kundër Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 31 mars ndaj Spanjës. Kosova në grup e ka edhe Greqinë e Gjeorgjinë. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se nuk ka ende asgjë konkrete.

“E vërteta është se do të kemi një ndeshje miqësore më 25 mars. Nuk mund të them asgjë për emrat, por mund ta konfirmoj se do të ketë miqësore. Do të shohim se a do të jetë në Prishtinë apo ndonjë qytet tjetër. Do të flasim edhe me organizatorët e ndeshjeve të UEFA-s, sepse këto ndeshje janë në datat e lira të UEFA-s. Por, kërkesa është që të kemi një miqësore që është e më e lehtë në letër. Do të shohim në ditët në vazhdim se si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Ademi për KOHËN.

“Dardanët” e mbyllën vitin 2020 me fitore, atë kundër Moldavisë në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, që e fituan me rezultatin minimal 1:0. Ishte kjo fitorja e dhjetë pas një serie prej dhjetë ndeshjeve pa fitore. Për Kosovën do të jetë cikli i dytë kualifikues për Kampionatin Botëror. Në të parin, për Botërorin “Rusia 2018”, dëshpëroi duke arritur vetëm një barazim në ndeshjen debutuese kundër Finlandës derisa të tjerat i humbi. Ciklin e rregullt kualifikues për “Euro 2020” e mbylli me tri fitore, dy barazime dhe tri disfata. Përfundoi në vendin e tretë me 11 pikë, por humbi rastin të kualifikohet në Evropianin që do të mbahet këtë verë nëpërmjet plejofit të edicionit të parë të Ligës së Kombeve. Humbi në gjysmëfinale të plejofit për Evropian kundër Maqedonisë së Veriut në Shkup. Maqedonia e Veriut u kualifikua në Evropian. Ndërsa dëshpëroi edhe në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve duke përfunduar në vendin e tretë me pesë pikë.