Në Federatën e Futbollit të Kosovës e dinë vetëm një gjë. Dinë se përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i luajë dy ndeshje miqësore në muajin qershor. Termini i lirë për miqësore është nga 31 maji deri më 8 qershor.
Por në Federatë thonë se ende nuk e dinë se cilat përfaqësuese i ka Kosova kundërshtare. Për më tepër tregojnë se është Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) që negocion për miqësoret e Kosovës.
Ditë më parë drejtues të përfaqësueses thanë për KOHËN se planifikojnë që miqësoret e qershorit t’i organizojnë në Prishtinë. Por në Federatë insistojnë se është UEFA që përcakton datat dhe vendin e zhvillimit të ndeshjeve. Ka pasur raportime të enjten se Kosova do ta luajë një miqësore me San Marinon.
“Çdo ndeshje miqësore që zhvillohet është pjesë e një grupi me disa kombëtare, të cilat janë konkurrente mes vete, dhe pjesë e këtij grupi jemi edhe ne, edhe San Marino. Duke qenë se ne nuk i organizojmë këto lloj të ndeshjeve, nuk mund ta dimë se kush është kundërshtari ynë dhe kundërshtar të kujt jemi ne. Në UEFA ekziston një sektor i garave, i cili merret me organizimin e ndeshjeve miqësore zyrtare dhe pikërisht ky organ, pak para datave të përcaktuara për takim, i njofton të dy federatat se kush janë kundërshtarët e tyre, kush është nikoqiri e kush mysafiri dhe specifika të tjera”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të FFK-së dërguar të enjten për KOHËN.
Termini për përgatitje të përfaqësueseve pjesëmarrëse në “Euro 2020”, si dhe për ndeshje miqësore është nga 31 maji deri më 8 qershor, ndërsa Evropiani nis më 11 qershor dhe përfundon më 11 korrik. Kosova dështoi të kualifikohej në “Euro 2020”.
Është raportuar se për kundërshtare Kosova do ta ketë San Marinon por që, sipas përgjigjes së FFK-së, nuk ka asgjë të konfirmuar. Gjëra konkrete presin të kenë javën e ardhshme.
“Deri në këtë moment zyrtarisht nuk e kemi ndonjë emër, por gjithsesi çdo ekip i cili duhet të ketë një ndeshje miqësore zyrtare, në mungesë të kundërshtarit kualifikues në grup, janë konkurrentët potencialë me të cilët mund të përballet. Besojmë se javën e ardhme do t’i kemi edhe emrat e kundërshtareve, si dhe vendin se ku do të zhvillohen këto ndeshje miqësore”, thuhet tutje në përgjigjen e FFK-së.
Kosova në mars i luajti tri ndeshje, një miqësore dhe dy kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”.
Kosova fillimisht luajti miqësore në Prishtinë kundër Lituanisë, të cilën e mposhti 4:0, por i humbi dy ndeshjet kualifikuese, ndaj Suedisë e Spanjës. Nga Suedia në Prishtinë u mposht 3:0, ndërsa në Sevilla nga Spanja 3:1. Përveç Suedisë e Spanjës, “Dardanët” në Grupin B eliminator për Botërorin e vitit të ardhshëm i kanë edhe Greqinë dhe Gjeorgjinë. Kosova në shtator luan ndeshjet e ardhshme kualifikuese.