Sport

Kosova ngjitet për pesë pozita në ranglistën e FIFA-s

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave është ngjitur për pesë pozita në ranglistën e FIFA-s.

Në listën e re të publikuar të premten nga shtëpia botërore e futbollit, Kosova renditet në vendin e 110-të, me 1164 pikë.

Në gjashtë ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2023 në Grupin F, Kosova e drejtuar nga përzgjedhësja Afërdita Fazlija mori një fitore, një barazim dhe pësoi katër disfata.

Kosova renditet në vendin e pesë me katër pikë, ndërsa e fundit është Armenia pa pikë.

Grupit i prinë Norvegjia me 16 pikë. Norvegjezet janë në vendin e 12-të në ranglistën e re.

Ndërkohë, Shqipëria që ka tri pikë më shumë se Kosova në Grupin F kualifikues, pozicionohet në vendin e 76-të në renditjen e FIFA-s, me 1337 pikë.

Listës i prinë SHBA-ja me 2109 pikë.