Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll duhet të jetë e bashkuar për duelin e së dielës kundër Bosnjë-Hercegovinës, në mënyrë që të arrihet rezultati pozitiv. Vetëm të bashkuar e me luftë të madhe për njëri-tjetrin dhe për shtetin e Kosovës, do të mund të dalin me kokë lart nga palestra.
Kështu ka thënë lideri i mbrojtjes së “Dardanëve”, Bujar Ramosaj, para duelit që nis në orën 17:00, të dielën në Tuzlla të Bosnjë-Hercegovinës.
Ekipi i Kosovës drejt Tuzllas është nisur të shtunën në mëngjes.
“Mund të them se atmosfera në grup është jashtëzakonisht e mirë. Rrugëtimi ka qenë i gjatë. Kemi bërë edhe stërvitjen e parë në palestrën e Tuzllas. Puna ka shkuar mirë. Jemi munduar t’i përmirësojmë sa më shumë gabimet që i kemi pasur në lojën në Prishtinë. Besoj që do t’ia arrijmë që t’i përmirësojmë sidomos situatat vendimtare. Shpresojmë që rezultati të jetë sa më i favorshëm për ne. Do të luftojmë shumë për të treguar që e meritojmë një pozitë të tillë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Bujar Qerimi.
Kosova është thuajse pa gjasa për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit të ardhshëm, pas disfatës që e pësoi të mërkurën nga Bosnja.
Edhe
Kosova e shënon fitoren e parë ndaj Bosnjë-Hercegovinës, por nuk avancon
Bosnja fitoi me rezultatin 25:22 në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, por në duelin kthyes, synohet paraqitje dinjitoze nga hendbollistët kosovarë dhe marrja e ndonjë rezultati pozitiv.
Ramosaj ka thënë se Kosova e ka lënë prapa disfatën në Prishtinë dhe është përgatitur maksimalisht për ndeshjen e radhës.
“Kemi punuar që ta lëmë prapa atë humbje. Po konsolidohemi dhe udhëtojmë me besim për në Bosnjë, ndonëse e dimë që na pret tjetër ndeshje e vështirë. Por në këtë fazë garash nuk ka ndeshje të lehta. Ka disa vjet që përballemi me top-kombëtare evropiane dhe e dimë që asnjëherë nuk është lehtë. Nuk do të jetë as të dielën. E rëndësishme është të luftojmë dhe të angazhohemi deri në fund. Nëse luftojmë për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për shtetin tonë, atëherë mund ta mbajmë kokën lart, pavarësisht rezultatit. Por përfundimisht me luftë maksimale sportive, rezultati pozitiv është i mundshëm. Këtë na e dëshmon e kaluara. Unë kam besim të plotë në bashkëlojtarë se do të vazhdojnë të japin maksimumin”, ka thënë Ramosaj për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Kjo do të jetë ndeshje e fazës së dytë kualifikuese për Evropian. Kosova të mërkurën e humbi ndeshjen e tretë rresht, ndërsa për Bosnjën ishte fitorja e parë.
Në tetor, Kosova ishte mposhtur nga Mali i Zi në udhëtim, dhe nga Sllovenia në shtëpi.
Grupit të shtatë ku është Kosova i prin përfaqësuesja e Sllovenisë që ka gjashtë pikë, me tri fitore nga po aq ndeshje të luajtura.
Edhe
Kosova mposhtet thellë në Tuzla, zbeh gjasat për avancim
Mali i Zi është i dyti me dy fitore e një disfatë dhe ka katër pikë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është e treta me dy pikë.
Kosova e fundit është pa pikë, por kërkohet fitorja të dielën.
Kualifikimi në Evropian është i mundur edhe nga vendi i tretë në grup.
Në tri ndeshjet e ndërsjella deri tani mes Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës, fitues kanë dalë boshnjakët në të tria rastet.
Deri në fund të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024, pas ndeshjes me Bosnje-Hercegovinën, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy duele të tjera.
Edhe
Në përpjekjen e tretë, Kosova e kërkon suksesin në “Mejdan”
Më 27 prill në Prishtinë e pret Përfaqësuesen e Malit të Zi, ndërsa më 30 prill, e mbyll këtë fazë të kualifikimeve në udhëtim te Sllovenia.
Në duelin tjetër të grupit që luhet të dielën po ashtu, Sllovenia mund ta sigurojë biletën për turneun që organizohet në Gjermani, nëse arrin ta mposhtë përfaqësuesen e Malit të Zi. Kjo ndeshje nis në orën 18:30.