Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të hënën me fillim nga ora 18:30, do të luajë si mysafir ndaj Përfaqësueses së Lituanisë, në kuadër të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Botërorin “Kina 2019”.
Për këtë përballje janë kryer të gjitha përgatitjet, por do të mungojë kapiteni Dardan Berisha, i cili për shkak të lëndimit të muskulit të prapmë të këmbës, është larguar nga Kampi i Përfaqësueses dhe është kthyer në Çeki, ku do ta vazhdojë rehabilitimin te ekipi i tij Nymburk, raporton Sporti në KTV.
Në dyshim për t’u paraqitur në këtë përballje është edhe alo-qendra Lis Shoshi, që ka pësuar lëndim në hundë, po ashtu në ndeshjen e fundit ndaj Polonisë, ku Kosova u mposht 90:62.
Në duelin e parë në Prishtinë, Kosova u mposht nga Lituania 99:61.
Basketbollistët e Kosovës në Grupin C, pozicionohen në vendin e fundit me tri humbje nga po aq ndeshje.