Sport

Kosova në Kongresin e UWW-së në Beograd, pjesëmarrja në Botëror në këtë qytet mbetet në dyshim

Federata e Mundjes e Kosovës ishte pjesë e Kongresit Zgjedhor të Federatës Ndërkombëtare të Mundjes (United World Wrestling). Kongresi i UWW-së është mbajtur të dielën në Beograd të Serbisë, ndërsa serbi Nenad Laloviq ka fituar edhe një mandat në krye të kësaj federate.

Laloviq do të jetë në krye të asociacionit ndërkombëtar të mundjes deri në vitin 2025. Ai vlerësohet për reformat që ka bërë e që e mbajtën mundjen në familjen olimpike.

Pjesëmarrja e Federatës Ndërkombëtare të Mundjes në Kongresin në Beograd ndodhi vetëm një javë pasi boksierët kosovarë nuk u lejuan të hynin në Serbi për të garuar në Botërorin e boksit amator që po mbahet pikërisht në Beograd. Por pjesëmarrja në Kongres dhe pjesëmarrja në Botëror dallojnë shumë.

“Sot në Beograd është mbajtur Kongresi Zgjedhor i UWW-së. Federatën e Mundjes së Kosovës në këtë kongres e përfaqësoi anëtari i Bordit, Sylejman Shala. Kryetar i United World Wrestling u rizgjodh serbi Nenad Laloviq”, ka njoftuar FMK-ja.

Beogradi do të jetë nikoqir i Kampionatit Botëror të mundjes që mbahet në shtator të vitit të ardhshëm. Në FMK nuk janë të bindur se pjesëmarrja e Kosovës do të lejohet në këtë botëror. Deri më tani sportistët e Kosovës nuk kanë garuar në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e Serbisë.

Diskriminimi i boksierëve nga Serbia ka bërë bujë. Kanë reaguar AIBA e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, por Botërori megjithatë po mbahet. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë gjobë t’i caktohet Federatës së Boksit të Serbisë për diskriminimin ndaj boksierëve kosovarë.

Edhe më herët ka pasur përpjekje të sportistëve kosovarë për të garuar në Serbi, por kjo nuk është mundësuar asnjëherë deri më tani.

“Besojmë që në Botëror do të mbizotërojë fryma sportive siç ka mbizotëruar në Kongres dhe do të marrim pjesë. Nëse mbizotëron fryma politike, do të kemi fatin e Federatës së Boksit të Kosovës”, ka thënë Genc Fazlija, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Mundjes së Kosovës.

Në Beograd të hënën fillon Botërori U23, por Kosova nuk ka paraqitur ndonjë garues. Ndërkohë Kosova nuk ishte as në Botërorin e seniorëve që është mbajtur në Oslo prej 2 deri më 10 tetor.

Mundësit e rinj së fundi kanë fituar disa medalje në Kampionatin Ballkanik dhe atë Mesdhetar.