Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova mposhtet nga Shqipëria në ndeshjen e fundit

Kosova U18 te femrat në basketboll e ka mbyllur garën në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që u organizua në Austri nga data 3 deri më 12-të gusht.

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në këtë garë, Kosova U18 u mposht nga Kombëtarja e Shqipërisë me dy pikë epërsi, 63:61, në ndeshjen e rëndësishme për pozitat 21-22.

Nisja e ndeshjes nga vashat e Kosovës ishte shumë e dobët, pasi çerekun e parë e humbën me 10-të pikë epërsi, 15:5.

33-24 ishte rezultati pas çerekut të dytë në të mirë të Shqipërisë, por përfaqësuesja e Kosovës e kësaj grupmoshe e udhëhequr nga trajneri Fidan Shatri, u këndell në çerekun e tretë dhe arriti ta mbyllë këtë periudhë me shifrat 21:10, madje edhe kaloi dy pikë epërsi 45:43.

Por, 10-të minutëshi i fundit i këtij ballafaqimi ishte vendimtar, pasi triumfuese në fund dolën fanellat “Kuqezi”, duke e mbyllur periodën 20:16, ndërsa rezultati përfundimtar shënonte 63:61.

Besjana Martinaj ishte më e dalluara në përballje me 19 pikë, 9 kërcime e 8 asistime në 39 minuta e 33 sekonda sa ishte e pranishme në parket, kurse Agnesa Rrahmani e përfundoi ballafaqimin me 13-të pikë të shënuara.

Te Shqipëria lojë të shkëlqyer pati Klea Verri që shënoi 22 pikë.

Kosova U18 në këtë Evropian pësoi 7 humbje gjithsej dhe shënoi vetëm një fitore, atë kundër Gjeorgjisë, me shifrat 44:43.

Artikuj të ngjashëm