Hendbollistët e Bosnjë-Hercegovinës kanë udhëhequr thuajse gjatë tërë ndeshjes me Kosovën. Dhe në fund kanë festuar para rreth 1500 shikuesve në Prishtinë. Ndeshja e së mërkurës mbrëma i takoi fazës së dytë kualifikuese për Euro 2024.
Bosnja ka fituar 25:22 për të mbetur në garë për kualifikim. Ndërkohë Kosova është thuajse pa gjasa. Kosova e ka humbur ndeshjen e tretë rresht, ndërsa Bosnja ka shënuar fitoren e parë.
Bosnja e nisi ndeshjen mirë dhe ishte në epërsi prej fillimit. Epërsia e mysafirëve shkoi deri në shtatë gola, 12:5. Kosova ia doli të afrohej pak dhe pjesa e parë përfundoi 14:10 për Bosnjën.
Lojtarët e Kosovës kishin telashe për të thyer mbrojtjen e fortë të Bosnjës, që ka lojtarë shtatlartë e me përvojë.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi Kosovës. Në minutën e 40-të, me golin e Egzon Gjukës, Kosova barazoi në 16:16. Gjuka shënoi edhe për 17:16, në minutën e 42-të. Por më pas Bosnja forcoi mbrojtjen dhe ishte efikase në sulm. Shënoi shtatë gola dhe nuk pranoi asnjë për të bërë shkëputjen vendimtare, 23:17. Vetëm në minutën e 50-të, Kosova e shënoi golin e 18-të, me kapitenin Valon Dedaj. Më pas boshnjakët me përvojë e kontrolluan lojën deri në fund.
“U kthyem në lojë, por dëshira e madhe për të shënuar me një top dy gola, gabimet individuale, kushtuan. Detyrë e imja është t’i motivoj lojtarët që ato gabime të përmirësohen dhe të shënojmë gola. Në pjesën e dytë u kthyem me barazim, por ngutja e njëjtë, dëshira, bëri të veten. Jemi në rrugën e përmirësimit, por kjo do kohë e ndonjëherë nuk kemi kohë”, ka thënë selektori Bujar Qerimi.
Kosova në tetor u mposht nga Mali i Zi në udhëtim dhe nga Sllovenia në shtëpi. Mbetet e fundit në grupin e shtatë, në kërkim të pikëve. Ndërkohë Bosnja është e treta me dy pikë. Edhe prej vendit të tretë kualifikimi në Evropian është i mundur.
Drenit Tahirukaj shënoi pesë gola nga dhjetë tentime. Katër gola nga gjashtë tentime i kishte Drilon Tahirukaj, ndërsa katër gola nga shtatë tentime i realizoi Egzon Gjuka. Haris Berisha i kishte pesë pritje, ndërsa Flamur Gërbeshi i kishte tri.
“Ka qenë një lojë shumë e fortë. Ne treguam që nuk dorëzohemi shumë lehtë. Jemi munduar që edhe në pjesën e dytë ta kthejmë rezultatin në favorin tonë, por Bosnja ka treguar që ka përvojë shumë të madhe. Me përvojën e saj besoj që ia ka arritur ta mbajë rezultatin deri në fund”, ka thënë portieri Berisha.
Te Bosnja, Mladen Boshkoviq i shënoi pesë gola. Katër i kishte Marko Paniq. Ndërkohë portieri Admir Ahmetasheviq kontribuoi me dhjetë pritje.
Kosova ndeshjen e ardhshme e ka të dielën. Luan sërish me Bosnjën, në Tuzlla. Kosova mbetet me vetëm një fitore si vendase në fazën kryesore kualifikuese për Evropian.