Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë një miqësore të madhe në muajin mars. “Dardanët” do të përballen me Zvicrën më 29 mars. Kjo është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Zvicrës, të hënën.
Ndeshja do të luhet në stadiumin e Zuerichut, Letzigrund. Te Zvicra lojtarët kryesorë janë Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Tashmë po ftohen edhe Andi Zeqiri e Kastriot Selmani.
Kosova e Zvicra përballen për herë të parë.
Zvicra është në momentin më të mirë të saj si përfaqësuese. Është kualifikuar në botërorin “Katari 2022” dhe është paraqitur me suksese në ngjarjet e mëdha të futbollit në dekadën e fundit. Zvicra është e 13-a në ranglistën botërore, ndërsa Kosova është e 111-a.
Zvicra fillimisht takohet me Anglinë më 26 mars në “Wembley” e më pas luan ndaj Kosovës në “Letzigrund”.
Edhe
Federata zvicerane pret shumë shqiptarë në ndeshjen me Kosovën
“Dueli me ekipin senior nacional të Kosovës, që është në FIFA prej vitit 2014, do të jetë i pari në histori për Zvicrën. Detajet për biletat e ndeshjes së parë në shtëpi për vitin 2022, që luhet më 29 mars, do të bëhen të ditura së shpejti”, ka njoftuar Federata zvicerane.
Ndeshja Zvicër – Kosovë pritet të jetë shumë tërheqëse për shikuesit, përkatësisht për mijëra shqiptarët që jetojnë në shtetin helvetik.
Lidhjet e futbollit mes dy vendeve janë shumë të forta. Skuadrat zvicerane janë të mbushura me futbollistë shqiptarë. Po ashtu edhe ekipet përfaqësuese të Zvicrës. Ndërkohë shumë futbollistë të Kosovës ishin pjesë e sistemit zviceran të futbollit. Superliga e Zvicrës është bazë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës dhe kështu pritet të jetë për shumë vjet. Nga numri i madh i shqiptarëve në futbollin zviceran ka përfituar dhe përfiton edhe Shqipëria, që po ashtu ka reprezentues që luajnë në klubet helvetike.
Deri vonë përzgjedhës i Kosovës ishte Bernard Challandes, zvicerani që pati ndikim të madh në rritjen e përfaqësueses.
Ka pasur edhe përplasje mes dy federatave në të kaluarën. Natyrisht të lidhura me lojtarët. Madje ka pasur mëdyshje nga zyrtarë të FFK-së lidhur me ndikimin e helvetikëve në procesin e pranimit të Kosovës në UEFA.
Edhe
Yakin për sfidën ndaj Kosovës: Jo më ndeshje vëllazërore
Ka pasur shpresë te një grup tifozësh se Shaqiri, Xhaka dhe yjtë e tjerë të Zvicrës do të luanin për Kosovën. Por te kjo lëvizje, së cilës i janë frikësuar shumë zviceranët, nuk erdhi.
Te Zuerichu, që ndeshjet i luan në “Letzigrund”, janë dy reprezentues të Kosovës, Fidan Aliti e Mirlind Kryeziu. Të tjerë shqiptarë të kësaj skuadre janë Lindrit Kamberi, Blerim Xhemaili e Bledian Krasniqi.