Sport

Federata zvicerane pret shumë shqiptarë në ndeshjen me Kosovën

Në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich pritet të ketë shumë shqiptarë më 29 mars. Do të luhet një ndeshje e veçantë që për shqiptarët e Zvicrës pritet të jetë me shumë interes.

Do të përballen Zvicra e Kosova. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në Zvicër e identifikojnë veten me të dy përfaqësueset. Me Kosovën, prej nga e kanë prejardhjen, dhe me Zvicrën, vendin ku jetojnë dhe që ua ka dhënë mundësitë e mëdha.

Federata e Futbollit e Zvicrës natyrisht e ka marrë në konsideratë faktin se në Zvicër jetojnë shumë shqiptarë kur ka vendosur për miqësoren me Kosovën. Miqësorja me Kosovën është e para e Zvicrës këtë vit në shtëpi. Helvetikët më 26 mars luajnë miqësore me Anglinë, ndërsa tri ditë më vonë takohen me Kosovën në Zuerichun e shumë shqiptarëve.

“Mezi e presim ndeshjen kundër Kosovës, me shumë tifozë kosovarë që jetojnë së bashku me ne në Zvicër”, ka thënë udhëheqësi i zyrës për shtyp të Federatës së Futbollit të Zvicrës, Adrian Arnold. Ai ka dhënë një prononcim të shkurtër për KOHËN, të martën, një ditë pas zyrtarizimit të takimit.

Mediat zvicerane nuk janë marrë shumë me miqësoren Zvicër – Kosovë. Është ende herët. Natyrisht do të ketë shumë shkrime për temën e shqiptarëve në Zvicër kur të afrohet ndeshja.

Shqiptarët janë shumë të integruar në sistemin zviceran të futbollit. Shumica prej familjeve shqiptare i dërgojnë fëmijët në shkolla futbolli dhe numri i atyre që dalin në pah nuk është i vogël. Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, dy lojtarët kryesorë të Zvicrës, janë shembulli më i mirë.

Nuk përjashtohet mundësia që Kosova të ketë përkrahje më të madhe se Zvicra në “Letzigrund” të martën e 29 marsit. Në “Letzigrund” tashmë ka luajtur Kosova. Më 29 maj të vitit 2018 ishte përballur në miqësore me Shqipërinë. Kosova kishte fituar 3:0. Stadiumi ishte mbushur me 18 mijë e 700 shikues, shumica e konsiderueshme shqiptarë.

Edhe në Federatën zvicerane kanë lënë të kuptohet se presin që në ndeshjen Zvicër – Kosovë të ketë shumë shqiptarë.