Sport

Kosova me emra të rinj, por me mungesa të rëndësishme

Kapitenia Leonora Demaj dhe portierja e parë, Kristina Ukaj, do t’i mungojnë përfaqësueses së Kosovës në hendboll në kualifikimet e ardhshme.

Në fillim të qershorit Kosova zhvillon ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”. Selektori Agron Shabani ka shpallur të hënën listën e lojtareve në të cilat llogarit për ndeshjet që luhen në Prishtinë.

Kapitenia dhe liderja e Kosovës, Demaj, ka kohë që nuk ka luajtur për përfaqësuese. Ajo ka pasur një operim të ligamenteve dhe nuk është kthyer ende. Ndërkohë Kristina Ukaj ka lëndim të ijëve dhe pritet të operohet së shpejti. Mungon edhe Albana Arifi, një lojtare tjetër e rëndësishme e Kosovës e po ashtu motrat Sara e Rina Rexhepi.

Ndonëse zhvillimi i ndeshjeve në Prishtinë vlerësohet favorizues për Kosovën, mungesat e rëndësishme pritet të kenë ndikim.

Kosova e kërkon vendin e parë në grup për të kaluar në fazën e dytë kualifikuese, ku ishte në ciklin e kaluar.

Kosova është pjesë e grupit A, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Luksemburgu e Qiproja. Më 3 qershor Kosova luan me Qipron, më 4 qershor takohet me Luksemburgun, ndërsa më 5 qershor me Portugalinë. Portugalia dhe Kosova janë pretenduese për vendin e parë në grup që siguron avancimin tutje.

Në listën e Shabanit janë 19 lojtare, ndërsa grumbullimi i përfaqësueses është të mërkurën në Prishtinë. Njoma Zogaj, që bën karrierë në Danimarkë, pritet të jetë përforcim i madh për Kosovën.

Ajo grumbullohet për herë të parë me “Dardanet”.

“Njoma Zogaj, Rinesa Uka dhe Alma Nivokazi janë emra të rinj në listën e selektorit Shabani. Ndërkohë në përfaqësuese janë kthyer shumë lojtare si: Pashke Marku, Burneta Rama, Blerta Ahmetxhekaj, Areta Istrefi, Alberina Halitaj. NIvokazi e Istrefi janë graduar nga Kombëtarja U19 dhe kanë rastin të dëshmohen. Lojtaret e tjera ishin edhe në ndeshjet e kaluara në Austri javë më parë”, ka njoftuar FHK-ja.

Prej vjeshtës Kosova do të mund të llogarisë edhe në hendbollisten cilësore Mirjeta Bytyqi. Ajo bën karrierë në Slloveni dhe ka luajtur më herët për Slloveninë. Në korrik bëhen tre vjet që nga paraqitja e fundit e Mirjetës me Slloveninë dhe më pas ajo ka të drejtë të luajë me Kosovën. Ndonëse nuk luan, Mirjeta do të grumbullohet me përfaqësuese edhe këtë herë.

Kosova në Austri kishte pësuar nga Austria dhe Italia në kualifikimet për Botëror. Por FHK-ja kishte vlerësuar se paraqitjet ishin pozitive. Ndërkohë kishte fituar lojtare të rëndësishme, para së gjithash motrat Marigona e Arlinda Hajdari.