Sport

Kosova mbahet mirë, por mposhtet nga Sllovenia

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ishte në epërsi deri në minutën e 25-të, por megjithatë u mposht nga Sllovenia. Ndeshja e luajtur të dielën në Prishtinë në praninë e afro 1000 shikuesve përfundoi me rezultatin 29:24 në të mirë të Sllovenisë.

Sllovenia i ka të gjithë lojtarët në nivelin e lartë evropian dhe ishte favorite e madhe. Por sllovenëve u është dashur të angazhohen shumë për të fituar pikët e radhës në kualifikimet për Euro 2024.

Sllovenia ka shënuar fitoren e dytë. Kosova ka pësuar humbjen e dytë. Dy fitore në grup i ka edhe Mali i Zi, ndërsa Bosnjë Hercegovinë, njëjtë si Kosova, ka dy humbje.

Kosova e nisi më mirë ndeshjen, falë angazhimit maksimal dhe luftës për çdo top. Epërsia e Kosovës ka shkuar deri në tri gola. Sllovenët barazuan në 12:12 në minutën e 25-të e më pas shënuan dy gola për të shkuar në pushim me epërsinë prej 14:12.

Edhe pjesa e dytë ishte e fortë, ndërsa nisi të vijë në shprehje cilësia e sllovenëve. Sllovenia nisi shkëputjen graduale dhe ka mbajtur epërsi prej disa golave deri në fund. Lojtarët e Kosovës megjithatë nuk janë ndalur deri në fund në kërkim të afrimit në rezultat. Në fund Sllovenia fitoi me pesë gola dallim, 29:24.

Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi ka vlerësuar paraqitjen.

“Lojtarët janë angazhuar maksimalisht. Por, sigurisht se u vërejt mungesa e lojtarëve. Në një moment kemi qenë në vijën e kuqe dhe është dashur të ndërrojmë, mirëpo mungesa e lojtarëve është vërejtur”, ka thënë Qerimi.

Egzon Gjuka shënoi gjashtë gola nga 11 tentime për Kosovën. Drilon Tahirukaj i kishte pesë gola nga pesë tentime, ndërsa pivoti Kastriot Jupa shënoi katër gola nga pesë tentime.

Haris Berisha i kishte shtatë pritje, ndërsa tri pritje i bëri Flamur Gërbeshi.

“Kjo dëshmon që jemi në një rrugë që po ecim me hapa të ngadaltë, por me kthimin e lojtarëve të lënduar krijojmë një grup të 11 apo 12 lojtarëve që mund të luajmë edhe më mirë dhe të ruajmë këtë ritëm me çdo kombëtare”, është shprehur tutje Qerimi.

Blazh Janc i Barcelonës, shënoi gjashtë gola nga gjashtë tentime për Slloveninë. Aleks Vlah i kishte pesë gola nga shtatë tentime.

“Jam i kënaqur me ekipin. Kemi luajtura deri në fund. Kemi bërë rezistencë ndaj sllovenëve që gjenden në top-10 shtetet e botës. Gjithë lojtarët janë pjesë e klubeve të Ligës së Kampionëve dhe të dëshmuar. Por, treguam se nuk jemi rival i dobët dhe do të vazhdojmë të krijojmë probleme për ekipe të mëdha. Në mars do të na kthehen të lënduarit dhe besoj se do të jemi 50 % më të fortë. Besoj se do të kemi një sukses me këtë gjeneratë”, ka thënë Jupa, që ishte kapiten në mungesë të Valon Dedajt.

Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan më 8 mars të vitit të ardhshëm. E pret Bosnjë-Hercegovinën. Pikërisht ndaj Bosnjës, Kosova synon pikët në këtë cikël eliminator.