Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova kalon tutje në kualifikimet për Botërorin e vitit 2023

Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar disfatë me një gol dallim të shtunën nga Ishujt Faroe. Humbi me rezultatin 29:28 në Istog, por, fitorja e arritur të enjten me tri gola dallim ka bërë që Kosova ta sigurojë kalimin në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

Edhe ndeshja e dytë përballë Ishujve Faroe u zhvillua në Istog.

Përfaqësuesja e Ishujve Faroe vlerësohej favorite e madhe ndaj Kosovës, por lojtaret e Kosovës arritën që të kalojnë në fazën e dytë kualifikuese të Botërorit.

Kosova u udhëhoq nga kapitenia Leonora Demaj që ndeshjen e mbylli me 11 gola. Katër gola shënoi Pashke Marku, ndërsa nga tre gola shënuan Marigona Hajdari dhe Mirela Gjikokaj.

Është suksesi i radhës, pasi një herë kishte kaluar në raundin kryesor të kualifikimeve për Evropian. Në kualifikimet për Botëror nuk ka pasur sukses deri më tani.

Në raundin e dytë Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me një përfaqësuese që aktualisht luan në Evropian. Evropiani i hendbollisteve ka nisur të premten, ndërsa po zhvillohet në Slloveni, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.