Hendbollistet e Kosovës të enjten mbrëma në Istog e fituan ndeshjen e parë në kualifikimet për Botëror. Deri të enjten i kishin tetë humbje rresht.
Tani hendbollistet e përzgjedhësit Agron Shabani kërkojnë edhe një tjetër fitore për suksesin historik – kalimin në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2023.
Kosova ka mposhtur Ishujt Faroe me rezultatin 27:24 të enjten. Ndeshja e kthimit është, po ashtu, në Istog, të shtunën nga ora 19:30.
Kosova një herë kishte kaluar në raundin kryesor të kualifikimeve për Evropian, ndërsa në kualifikimet për Botëror nuk ka pasur sukses deri më tani. Dhe në Përfaqësuese vlerësojnë se ka ardhur koha për të kaluar në raundin e dytë të kualifikimeve për Botëror.
“Kemi luajtur ndeshje të madhe. Ekipin e kemi thuajse të kompletuar dhe kualiteti i vajzave është i madh. Këtë e kemi dëshmuar në ndeshjen e parë me Ishujt Faroe. Të gjitha kemi qenë të përkushtuara për sukses dhe rezultati ishte i dëshiruar”, ka thënë Fitore Aliu. Ajo luan në pozitën e alos dhe ka pasur ndeshje pozitive të enjten. “Nuk ka përfunduar ende asgjë, ndonëse kemi bërë hap të rëndësishëm. Na presin edhe 60 minuta të zjarrtë. Nëse japim më të mirën, luftojmë për çdo top dhe ndihmojmë njëra-tjetrën, atëherë jam optimiste për suksesin historik, kalimin në raundin tjetër. Atmosfera është shumë e mirë, ndërsa edhe përkrahja nga shikuesit nuk presim që të mungojë”, ka shtuar Aliu, që luan në Gjermani.
Përfaqësuesja e Ishujve Faroe vlerësohej favorite e madhe ndaj Kosovës. Favorite, sipas kompanive të basteve, është edhe për ndeshjen e dytë. Por lojtaret e Kosovës, të udhëhequra nga kapitenia Leonora Demaj dhe Marigona Hajdari, kanë shfaqur nivel më të lartë se lojtaret e Ishujve Faroe.
Aloja tjetër, Pashke Marku, thotë se me mbrojtje të fortë do ta fitojnë edhe ndeshjen e dytë.
“Ndeshjen e kemi fituar pasi i jemi përmbajtur planit të lojës. Të gjitha i jemi përmbajtur asaj që jemi marrë vesh për lojën në mbrojtje dhe lojën në sulm. Në pjesën e dytë kemi pasur një rënie, sidomos kur kapitenia Leonora Demaj u përjashtua. Megjithatë, jemi kthyer shpejt, kemi motivuar njëra-tjetrën dhe kemi ndihmuar maksimalisht njëra-tjetrën, dhe kështu gjithë ekipin”, ka thënë Pashke Marku. “Na pret ndeshja vendimtare. Duhet të jemi të fokusuara si në lojën e parë. Mbrojtjen duhet ta kemi sërish të fortë, pasi e dimë që vetëm mbrojtja e fortë e fiton lojën dhe e siguron kualifikimin”, ka shtuar hendbollistja që luan në Zvicër.
Në rast se e kalon raundin e parë, në të dytin Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me një përfaqësuese që aktualisht luan në Evropian. Evropiani i hendbollisteve ka nisur të premten, ndërsa po zhvillohet në Slloveni, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.