Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka ftuar mesfushorin e Dritës, Muharrem Jashari, për ndeshjen eliminatore për Botërorin 2022 kundër Spanjës.
Ndeshja luhet të mërkurën në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosovës në këtë ndeshje do t’i mungojë dyshja Lirim Kastrati e Besar Halimi shkaku i kartonëve.
“Duke pasur parasysh se Lirim Kastrati dhe Besar Halimi nuk do të kenë të drejtë paraqitjeje në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Spanjës për shkak të pezullimit me kartonë, përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes ka vendosur që për këtë ndeshje ta ketë në grumbullim mesfushorin e Dritës, Muharrem Jashari. Dardanët, sot, do të kenë vetëm rigjenerim në hotel, pasi lojtarët që nuk u aktivizuan në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Greqisë dhe ata që hyrën si zëvendësueses kanë bërë stërvitje mbrëmë pas ndeshjes”, thuhet nga FFK-ja.
Jashari është futbollisti i dytë i Superligës së Kosovës që është ftuar nga Challandes, pasi më herët “Dardanëve” i është bashkuar edhe Armend Thaqi i Ballkanit.