Futboll

Kosova vazhdon punën, Shaipi e Jashari presin fitore

Kosova

Portieri Amir Shaipi dhe mesfushori Muharrem Jashari e kanë vlerësuar pozitivisht grupin e lojtarëve që janë grumbulluar te Kosova për dy ndeshjet e këtij muaji.

Shaipi u grumbullua për herën e parë me “Dardanët”, ndërsa Jashari është kthyer pas një kohe të gjatë.

Të dy presin të kenë minuta në duelet kundër Lituanisë, më 12 tetor në udhëtim, dhe ndaj Qipros në Prishtinë tri ditë më pas.

Shaipi me plot sukses po luan te Lugano në elitën e futbollit zviceran. Shaipi është 24-vjeçar dhe i gjatë 194 centimetra. Ka 14 paraqitje me Zvicrën U21. Por pasi helvetikët nuk llogaritën në të për Përfaqësuesen A, Shaipi vendosi për Kosovën, ndonëse FFK-ja për kohë të gjatë kishte kontakte me të.

Shaipi të martën për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës tha se është pritur ngrohtë nga lojtarët e tjerë të ekipit. Theksoi se Kosova ka ekip të mrekullueshëm. Ai pret fitore në të dyja ndeshjet.

“Sot kisha stërvitjen e parë dhe isha shumë i gëzuar që isha sërish në fushë. Sidomos me kaq shumë lojtarë që kanë vërtet shumë cilësi. Ne kemi lojtarë të mirë këtu në Kosovë që luajnë në një nivel të lartë. Mendoj se kjo do të më ndihmojë edhe mua të përparoj. Për këtë arsye jam këtu. Dhe natyrisht, për shkak të dy ndeshjeve. Mendoj se jemi ekip i mirë. Kemi shumë cilësi në ekip dhe mendoj se nuk na duhet shumë për të fituar ndeshjet, por thjesht duhet të luajmë me 100 për qind përqendrim të shtunën dhe pastaj të martën. Duhet të tregojmë çfarë dimë. Sot në stërvitje treguam cilësitë tona", ka thënë portieri i ri i Kosovës.

Ai pritet të jetë konkurrencë serioze për Aro Muriqin, që deri më tani ishte pa rivalë të denjë.

"Mendoj se nëse vazhdojmë kështu, mund t’i mbyllim këto dy ndeshje me gjashtë pikë”, ka shtuar Shaipi.

Ndërkohë, kthimin te Kosova, Jashari 26-vjeçar, e vlerësoi emocionues. Jashari është futbollist i Cherkasyt në Ukrainë, ndërsa për ndeshjet e tetorit u ftua në vend të Astrit Selmanit, që nuk ishte 100 për qind i gatshëm për lojë.

Jashari ka tri paraqitje me Kosovën në miqësore, kundër Guinesë në vitin 2021, dhe ndaj Armenisë e Ishujve Faroe në nëntor të vitit 2022.

Për mesfushorin me tipare sulmuese është grumbullimi i dytë në ndeshje zyrtare me “Dardanët”. I grumbulluar ishte edhe për duelin ndaj Spanjës. Spanja kishte fituar 2:0 në Prishtinë, në ndeshjen kualifikuese për “Botërorin 2022”.

“Është një emocion shumë i veçantë, shumë i mirë dhe ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares përsëri. Shpresoj që të debutoj. Këto dy ndeshje që i kemi në muajin tetor t’i fitojmë”, ka thënë fillimisht Jashari.

Jashari po kalon formë të mirë në kampionatin ukrainas. Në nëntë ndeshjet e para të edicionit ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime.

Dhe në mungesë të konkurrencës në mesfushë, Jashari mund ta ketë rastin për t’u paraqitur.

“Grupi është shumë i bashkuar, shumë i motivuar për këto dy ndeshje, me një energji shumë të mirë. Duke i parë stërvitjet mendoj që këto dy ndeshje që i kemi me Lituaninë dhe me Qipron, do të dalim me rezultat pozitiv”, është shprehur Jashari që në Superligën e Kosovës debutoi si 18-vjeçar te Trepça ’89, ku edhe u zhvillua si futbollist. Në vitin 2021 kishte luajtur edhe te Drita, ku ishte prej më të dalluarve po ashtu. Nga janari i këtij viti është pjesë e Cherkasyt.

FFK-ja ka njoftuar se në pasditen e së martës nuk kanë stërvitur Leart Paqarada dhe portieri Arijanet Muriq, të cilët kanë pasur lëndime të lehta.

Kosova në stërvitjen e së martës ishte e kompletuar. Të hënën ushtruan vetëm 12 futbollistë.