Sport

Ftesa në përfaqësuese, hap i madh për Jasharin

Prishtinë, 6 shtator –Muharrem Jashari pranon se ftesa e marrë nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjen e fundit të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”, është një hap shumë i madh në karrierë. Mesfushori i Dritës së Gjilanit është ftuar të hënën në grumbullim te “Dardanët”, në mungesë të Lirim Kastratit dhe Besar Halimit. Ai është ftuar për ndeshjen që Kosova e luan të mërkurën kundër gjigantes, Spanjës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kastrati dhe Halimi mungojnë shkaku i suspendimit.

Jashari i është bashkuar të hënën në hotel pjesës tjetër të ekipit, që kishte vetëm rigjenerim. Të martën përfaqësuesja do të zhvillojë stërvitje në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku edhe do të luhet ndeshja kundër Spanjës ( e mërkurë 20:45).

“Jam shumë i lumtur për ftesën dhe është një ëndërr e bërë realitet. Për çdo futbollist është ndjenjë e papërshkrueshme kur grumbullohet dhe përfaqëson shtetin e vet. Është një hap i mirë për karrierën time, por normal që nuk do të ndalem me kaq. Gjithsesi puna që kam bërë deri tash më është shpërblyer me këtë ftesë”, ka thënë Jashari të hënën për KOHËN.

Mesfushori mitrovicas pret që kjo të mos jetë ftesa e fundit nga Challandesi. Ai shpreson që edhe në të ardhmen të jetë pjesë e “Dardanëve”.

“Unë do të mundohem ta jap maksimumin tim. Do ta jap më të mirën nga vetja dhe në fund është trajneri që vendos nëse unë i duhem përfaqësueses. Unë do ta jap më të mirën time si për klubin ashtu edhe në grumbullimet te Kosova. Është motiv shtesë për mua dhe do të mundohem ta shfrytëzoj këtë eksperiencë maksimalisht”, ka theksuar 23-vjeçari.

Në fakt, Jashari i ka 14 minuta për përfaqësuesen e Kosovës. Ka luajtur në miqësoren që Kosova e zhvilloi në qershor kundër Guinesë. Kosova humbi 2:1 ndeshjen ndaj Guinesë, por u paraqit me shumë futbollistë që janë pjesë e Superligës së Kosovës. Pra, ishte ekipi B. Edhe ndaj Gambisë ishte i ftuar, por nuk luajti.

Kjo është ftesa e parë në një ndeshje zyrtare për Jasharin.

Ai kontribut ka dhënë edhe në dy cikle kualifikuese për Evropian te Përfaqësuesja U-21 e Kosovës. Ka luajtur nëntë ndeshje, ndërsa pret të luajë edhe për përfaqësuesen A.

Jashari gjatë verës iu bashkua Dritës, njërës prej skuadrave më të organizuara në vitet e fundit në Kosovë. Është rritur te skuadra e Trepçës ’89.

Për ndeshje ndërkombëtare e pati marrë si përforcim edhe Prishtina.

Ai për Dritën këtë edicion në kualifikimet e Ligës së Konferencës luajti katër ndeshje, ndërsa u vlerësua lart për paraqitjen e tij në qendër të mesfushës.

Synimi i “Mulit” është që në një të ardhme të afërt ta vazhdojë karrierën jashtë vendit, në ndonjë klub të Evropës.

Pjesë e grumbullimit të Kosovës për ndeshjet e këtij muaji është edhe mbrojtësi i krahut të djathtë i Ballkanit, Armend Thaqi.