Ekipet dhe përfaqësuesja e hendbollit të Serbisë kurrë më nuk do të ndeshen me homologët nga Kosova.
Këtë e ka thënë nënkryetari i federatës se hendbollit të Serbisë Dragan Shkrbiq duke deklaruar se “kanë arritur marrëveshje me EHF-në”.
“Federata e Hendbollit të Serbisë ka arritur një marrëveshje me drejtuesit e EHF dhe kurrë më nuk do të ndodhë që kombëtarja apo një ekip nga Serbia të luan me Kosovën apo ekipet e saja. Është vendosur që edhe që të ndryshohet shorti në rast se na bjerë të luajmë me ata në mënyrë që të mos përsëritet diçka e ngjashme me çfarë ndodhi në Beograd rreth dhjetë ditë më parë”, tha Shkrbiq.
I menjëhershëm ishte reagimi i sekretarit të Federatës së Hendbollit të Kosovës Izet Gjinovci. Ai ka thënë se nuk është marrëveshje, por vendim i EHF-së, dhe jo vetëm për ndeshjet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për Greqi – Maqedoni.
Ai më tutje shtoi se zyrtarët e Federatës së Hendbollit të Serbisë po mundohen të përfitojnë nga ky vendim, kinse ata kanë ndalur zhvillimin e këtyre ndeshjeve, por realiteti është ndryshe.
Edhe
Federata Evropiane e Hendbollit dënon Serbinë për anulim të ndeshjes me Kosovën
“Ata e shohin çdo humbje si fitore dhe kjo është me të vërtetë për të ardhur keq”, potencoi Gjinovci. “Si duket Shkrbiq po frikësohet që së shpejti do të mund të ndeshet me Kosovën në ndonjë fazë finale të një kampionati evropian apo botëror dhe aty nuk kanë nga të ikin”, tha Gjinovci, shkruan KP.
Vlen të theksohet se përfaqësuesja e Kosovës në hendboll, kategoria e femrave dhe ajo e Serbisë duhej të zhvillonin ndeshjen më 23 mars, por Qeveria e Serbisë nuk lejoi që kjo ndeshje të zhvillohej për shkak siç thuhej “arsye të sigurisë” kështu që Federata e Hendbollit të Serbisë është përjashtuar nga EHF-ja.