Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka barazuar në ndeshjen e dytë me Kuvajtin.
21:21 ishte rezultati i ndeshjes të luajtur të hënën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec para rreth 600 shikuesve. Ishte kjo një ndeshje tjetër e rëndësishme testuese për selektorin Taip Ramadani dhe lojtarët e tij.
Kosova është në përfundim të fazës përgatitore për kualifikimet e Botërorit, që i zhvillon prej të premtes deri të dielën në Benevento të Italisë.
Ndaj Kuvajtit, Kosova ka pasur epërsi të lehtë thuajse gjatë tërë ndeshjes. Pas pjesës së parë rezultat ishte i barabartë 10:10. Vetëm në fund Kuvajti ka kaluar në epërsi prej një goli, por Kosova ia doli të barazojë rezultatin në 21:21 përmes Jupës.
Edhe në ndeshjen e dytë testuese me Kuvajtin, selektori Ramadani ka provuar skema të ndryshme taktike dhe kombinime të lojtarëve.
Kosova ka përmirësuar dukshëm përshtypjet pas disfatës së pësuar të dielën. Edhe të dielën Kosova u paraqit mirë, por në fazën përfundimtare pësoi shumë gola.
Të kujtojmë që Kuvajti është prej kombëtareve më cilësore të Azisë dhe që ka luajtur ndeshje të forta me kombëtare të mëdha evropiane.
Kosova – Kuvajti 21:21 (10:10)
Kosova: Liridon Zena, Drilon Tahirukaj 2, Kastriot Jupa 4, Egzon Gjuka 2, Drenit Tahirukaj 1, Leonard Gegaj, Lindrit Fetahu, Oltion Beshiri 4, Valon Dedaj 2, Fatlum Ahmeti, Deniz Terziqi 4, Flamur Gerbeshi, Jon Muqolli, Albin Xhafolli 1, Endrit Abdullahu, Luigj Quni, Haris Berisha, Bujar Ramosaj 1, Petrit Prekazi