Wojtek Machnik duhej të vraponte një maratonë në ishullin britanik Guernsey të dielën e kaluar, në atë që do të kishte qenë gara e tij jubilare, e 100-ta – një arritje që garuesi polak po synon ta bëjë brenda dy vjetësh, duke u bërë më i shpejti.
Por ajo maratonë dhe gjashtë të tjerat, të rezervuara nga Machnik në Lindjen e Mesme dhe Evropë, janë anuluar të gjitha për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, duke e mbajtur në pritje përpjekjen e tij për rekordin botëror.
Me planet e tij të dështuara shkaku i pezullimeve të detyruara të ngjarjeve sportive pas shpërthimit të koronavirusit, 42-vjeçari vendosi të vraponte maratonën e tij të parë ndonjëherë në kushte shtëpie kur u mbajt nën një karantinë të detyrueshme dyjavore, pas udhëtimit të tij më të fundit në Jemen, shkruan Al Jazeera.
I veshur si maratonist, me një bluzë dhe pantallona të shkurtra, Machnik me përpikëri shkoi në drejtim të akrepave të orës dhe anasjelltas në një hapësirë brenda 7.5 metrash përreth shtratit të tij brenda një dhome të vogël me qira në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë. Ai e bëri këtë më shumë se 5.600 herë për nëntë orë, duke marrë telefonata dhe duke ecur në mes të “garës”, për të kompletuar përfundimisht distancën totale prej 42.2 kilometrash.
"Kur qëndroni në një dhomë për dy javë, nuk ka asnjë mënyrë për të bërë diçka më të çmendur se kjo", tha Machnik duke qeshur.
Pandemia globale e koronavirusit, e cila mendohet se ka origjinën në Wuhan të Kinës në muajin dhjetor të vitit të shkuar, ka bllokuar gjithçka, përfshirë këtu edhe mbylljen e kufijve. Më shumë se një milion njerëz janë infektuar në 180 vende të botës, ndërsa numri i vdekjeve globale ka shkuar mbi 50 mijë, transmeton Koha Ditore.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, qeveritë u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të qëndrojnë në shtëpi. Qasja në parqe dhe plazhe publike është e ndaluar ose e kufizuar, por kjo nuk i ka mbajtur të gjithë si Machnikun, që ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme për të kompletuar një garë maratonike.
Maratonat virtuale
“Z Adventures”, një kompani udhëtimi sportive me qendër në Katar që organizon gara në të gjithë botën, filloi një sfidë virtuale javën e kaluar, të quajtur “Circuit Self-Isolator”, për vrapues sfidues që të përfundojnë distancën e maratonës në shtëpitë e tyre për një periudhë maksimale të një jave.
Ideja ishte për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me distancën fizike, duke qëndruar në shtëpi, ndërsa gjithashtu duke inkurajuar njerëzit të qëndrojnë aktivë. Nga Mbretëria e Bashkuar, Kina, SHBA-ja, Franca, deri në Karaibe, Afrikën e Jugut e Nigeria - më shumë se 150 njerëz morën pjesë në këtë sfidë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.