Amerikani Michael Wardian ka fituar garën “Quarantine Backyard Ultra” të martën, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.
Ultramaratonisti mbeti garuesi i fundit në këtë garë virtuale, ndërsa kompletoi 422 kilometra në 63 orë.
Pasi ngjarjet sportive janë pezulluar apo anuluar në mbarë botën shkaku i pandemisë COVID-19, po organizohen sporte në mënyrë virtuale.
Në garën, që u organizua nga “Personal Peak Endurance Coaching”, pjesëmarrësit përshkuan 6.7 kilometra çdo orë, ndërsa personi i fundit që mbeti në këmbë u shpall fitues, e ai ishte Wardian.
Pjesëmarrësit patën opsionin të vraponin në ambient të mbyllur në makinën e vrapimit apo në një shteg në oborrin e tyre. Të gjithë pjesëmarrësit u lidhën nëpërmjet platformës Zoom.
Gara nisi më 4 prill dhe në 15 orët e fundit mbetën duke garuar vetëm Wardian, që po vraponte në oborrin e shtëpisë, dhe çeku Radek Brunner që po vraponte në apartament në shirit vrapimi.
Wardian triumfoi pasi Brunner dështoi të niste xhiron e 63-të kur u dëgjua alarmi për fillimin.
“Radek po më shtynte përtej asaj që kam bërë në të kaluarën. Ishte nder i vërtetë dhe privilegj të merrja pjesë në këtë gjë”, ka deklaruar Wardian në një video-mesazh të postuar në Facebook.
Amerikani 45-vjeçar ka treguar se më tepër se 2500 garues nga 50 shtete kanë marrë pjesë.
“Mendoj se të gjithë kemi shijuar fundjavën. E di se të gjithë jemi të ndarë fizikisht për momentin, por kjo na ka bashkuar në një mënyrë. Kemi ndarë atë që duam”, ka thënë Wardian.
Shpërblimi që ka marrë Wardiani nga organizatorët është përshkruar si “çmimi më i kërkuar në botë” – një rollne e artë e letrave të tualetit.