Sport

Korenica synon Superligën turke me Manisasporin

Meriton Korenica ishte ndër lojtarët më të suksesshëm në Kosovë. Dha kontribut të madh për Ballkanin që siguroi dy herë rresht pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Tani Korenica, 26-vjeçar, është i gatshëm të jep kontributin e tij në realizimin e synimeve të Manisasporit. Klubi turk synon ngritjen në Superligë dhe këtu Korenica futet në lojë.

Korenica të dielën u prezantua nga klubi i Kategorisë së Dytë turke. Me Manisasporin ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ballkani ka përfituar 200 mijë euro, ndërsa ka mbajtur 20 % të kartonit të Korenicës. Në rast se Manisaspori siguron kalimin në elitë, Ballkani do t’i përfitojë edhe 50 mijë euro të tjera.

“Kam ardhur këtu për titullin kampion. Ne do të punojmë shumë dhe do ta arrijmë objektivin tonë”, ka thënë Korenica pas prezantimit te skuadra turke.

Ai thotë se ka njohuri të mjaftueshme për Manisasporin.

“Kam marrë informacione shumë të mira nga miqtë e mi në klubin e futbollit Manisa. Jam i lumtur që vij në një ekip me synime të mëdha. Do të punoj shumë për të pasur sukses këtu”, ka thënë Korenica.

Korenica ka kujtuar edhe momentet e mira që i ka kaluar për tre vjet te Ballkani.

“Krenar që gjatë këtyre tre vjetëve me plot emocion bëmë ëndrrën realitet. Është emocion i madh të shkruash për një ndarje. Emocion edhe më i madh është kur nga ky klub po realizoj një ëndërr që shpresoj ta jetësoj deri në fund të karrierës time”, ka shkruar Korenica në Facebook.

Ai ka falënderuar presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashi, trajnerin Ilir Daja, stafin dhe të gjithë lojtarët me të cilët ka shkruar histori.

Sulmuesi i krahut së fundi është ftuar nga Kosova për dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024”. Kosova më 9 shtator luan ndaj Zvicrës në Prishtinë, kurse tri ditë më pas ndaj Rumanisë në udhëtim.

Korenica është ftuar nga përzgjedhësi Primozh Gliha falë paraqitjeve të mira me Ballkanin në garat evropiane.

Ai shënoi tri gola dhe kontribuoi me një asistim në tetë ndeshje të Ballkanit në Evropë. Ballkani pas eliminimit nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve vazhdoi me sukses rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Skuadra nga Suhareka për herë të dytë rresht siguroi grupet e Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave të UEFA-s për nga rëndësia.

Për transferimin e Korenicës ka folur edhe drejtori sportiv i Manisasporit, Nderim Nexhpi. Nexhipi me Korenicën kanë punuar te klubi i Ballkanit. Nexhipi iu bashkua Manisës në fillim të verës.

“Meriton Korenica është lojtar me vlera të mëdha dhe do të na ndihmojë shumë në realizimin e qëllimeve tona. Ai ka shpejtësi, dinamikë dhe është shënues i golave. Është një transferim i qëlluar për ne dhe i uroj shumë suksese në klubin tonë të ri. Besoj se do të na ndihmojë shumë në realizimin e qëllimeve. Kam ardhur këtu për një projekt të madh. Edhe Korenica na është bashkuar në këtë projekt e që për qëllim ka ngritjen në Superligë”, ka thënë Nexhpi për KOHËN të dielën.

Sipas klubit turke, Korenica fillimisht ka luajtur për Shkëndijën e Tetovës, pastaj Metalurgun, Lirinë, Prishtinën dhe së fundi te kampioni i Kosovës, Ballkani.

Brenda këtij viti Ballkani shiti tre futbollistë. Në janar e shiti për 200 mijë euro sulmuesin e krahut Ermal Krasniqi, kurse pak javë më parë Albion Rrahmanin për 600 mijë euro te Rapidi i Bukureshtit. Për shkak të lëndimit këtë verë nuk u shit Lindon Emërllahu. Ballkani në total ka përfituar 1 milion euro nga shitja e tre lojtarëve.