Skuadra e elitës së futbollit suedez, Elfsborg, ka konfirmuar të shtunën interesimin për rikthimin e Arbër Zenelit në skuadër.
“Neve na pëlqen Arbër Zeneli”, ka thënë menaxheri i klubit Stefan Andreasson, ka shkruar mediumi “Boras Tidning”.
Zeneli, 28-vjeçar, shkëputi kontratën me klubin turk, Adana Demirspor. Menjëherë pati raportime se Zeneli do të kthehet tek Elfsborgu, skuadër ku luan edhe vëllai i vogël i Arbërit, Besfort Zeneli.
“Do të shohim se si qëndrojnë punët. Do të flasim me të në ditët e ardhshme dhe të shohim mundësitë që kemi. Por neve na pëlqen Arbër Zeneli. Ne gjithmonë duam që ta sjellim atë në shtëpi”, ka thënë Andreasson.
Në fakt, Elfsborgu ka dashur që Zenelin ta transferonte edhe në verë, por lëvizja nuk u bë e mundur.
“E kemi diskutuar në verën e kaluar, por nuk ishte e mundur që transferimi të bëhej. Të shohim tani se çfarë do të ndodhë”, theksoi Andreasson.
Arbër Zeneli ka zhvilluar 62 paraqitje me Elfsborgun, para se të kalonte te Heerenveeni në janar të vitit 2016.