Kombëtarja e Shqipërisë ka përfunduar gjysmën e punës me fitoren ndaj Kazakistanit dhe gjysmën tjetër kërkon ta përfundojë me triumf kundër Bjellorusisë, për të kompletuar me sukses misionin – promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kështu ka thënë kapiteni Etrit Berisha në konferencën për shtyp që Kombëtarja e ka mbajtur të martën, në prag të duelit me Bjellorusinë.
Ndeshja Shqipëri – Bjellorusi luhet të mërkurën (16:00) në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe është e fundit për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.
Shqipëria është e dyta në grupin e katërt të Ligës C dhe me fitore ndaj Bjellorusisë, do të përfundonte e para në tabelë. Vendi i parë mundëson kalimin në një rang më të lartë – Ligën B.
Një xhiro para fundit, grupit i prin Bjellorusia me dhjetë pikë, dy më shumë se Shqipëria, derisa Lituania (5) dhe Kazakistani (4) mbajnë pozitat tre dhe katër.
Shqipëria në duelin ndaj Bjellorusisë futet pas fitores që e shënoi të dielën ndaj Kazakistanit (3:1) dhe kapiteni Berisha është optimist për triumf.
Ndërkohë edhe Bjellorusia e ka fituar ndeshjen e fundit, duke triumfuar në shtëpi kundër Lituanisë (2:0).
Berisha e ka quajtur përballjen me Bjellorusisë si finale të këtij sezoni të Ligës së Kombeve. Sipas tij, ekipi është maksimalisht i motivuar dhe do të dalë në fushë për ta fituar ndeshjen.
“Jemi maksimalisht të motivuar për këtë finale, që do të jetë një ndeshje e vështirë si gjitha tjerat por mendojmë se kualiteti është në anën tonë, si dhe të gjitha mundësitë e tjera. Dueli me Bjellorusinë është shumë i rëndësishëm dhe duhet të mundohemi ta fitojmë. Unë mendoj që edhe sfida me Kazakistanin ishte me shumë rëndësi pasi ishte hapi i parë për të filluar një mision që kishim, të arrijmë në vendin e parë. Mirëpo mendoj që e arritëm me sukses dhe fillimi i punës mbarë është gjysma e punës dhe kjo ndeshje do të jetë e rëndësisë së vet. E di që duhet vetëm të fitojmë dhe nuk bëjmë kalkulime të tjera. Unë mendoj që kualitetin e kemi dhe duhet të jemi të qetë, duhet ta presim momentin e duhur”, është shprehur Berisha. “Ne e kemi kualitetin në ekip dhe kualiteti që kemi ne është më i lartë se të gjitha ekipet e tjera dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Nuk kemi asgjë për të kalkuluar, për barazim, apo gjëra të tjera. Duhet të futemi qetë dhe duhet të fitojmë lojën. Do të luajmë edhe në shtëpi dhe të gjithë çunat janë të vetëdijshëm që duhet të japin maksimumin”.
Përzgjedhësi Edy Reja ka probleme me formacionin. Elseid Hysaj ka dalë me COVID-19, të martën mbrëma, kurse Amir Abrashi është i suspenduar. Për Klaus Gjasulën nuk dihet nëse do të jetë në gjendje të luajë deri para fillimit të ndeshjes, pas një lëndimi që e pësoi në duelin kundër Kazakistanit.
Edhe Reja ka pranuar se dueli me Bjellorusinë mund të konsiderohet si një finale, të cilën shpreson ta fitojë për ta siguruar vendin e parë në grup.
“Rezultati sigurisht është i rëndësishëm sepse përmes rezultateve ne rritemi. Nuk kemi bërë ndeshje të jashtëzakonshme, por kemi marrë rezultate të mira. Ne kishim si objektiv të fitonim një ndeshje të paktën ndaj Kazakistanit në udhëtim apo Lituanisë, por kjo gjë nuk ndodhi. Por edhe atje bëmë disa gabime por gjithsesi ne tani e kemi shansin të arrijmë vendin e parë nëse mundim Bjellorusinë, sigurisht mund t’ia arrijmë objektivit”, është shprehur Reja.
“E rëndësishme është që ata që do të zbresin në fushë të bëjnë më të mirën. Kjo është një ndeshje e veçantë, sepse është një finale. Flitet për tension dhe presion te lojtarët. Sigurisht ne duhet të kemi presionin e duhur dhe jo të shqetësohemi. Ne kemi cilësinë e duhur për të bërë një ndeshje të mirë”.
Edhe ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo ndërmjet Kazakistanit dhe Lituanisë, do të luhet prej orës 16:00 dhe do të jetë e rëndësishme për t’i ikur pozitës së fundit në grup.