Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me fitore aventurën e re në Ligën e Kombeve.
Shqipëria të shtunën mbrëma në stadiumin “Air Albania” në Tiranë e mposhti Bjellorusinë me rezultatin 2:0, në kuadër të Grupit C1.
Shqipëria ishte më kërkuese në minutat e parë, duke iu afruar vazhdimisht portës së Bjellorusisë.
Në minutën e 34-t, Kristjan Asllani e zhbllokoi rezultatin, duke e kaluar Shqipërinë në epërsi 1:0.
Mesfushori që luan në Emiratet e Bashkuara Arabe, ishte i saktë nga pika e bardhë.
Penalltinë për Shqipërinë e fitoi kapiteni Berat Gjimshiti, i cili u pengua në zonë nga Artem Kontsevoy.
Shqipëria vazhdoi sulmet edhe pas golit dhe në fund të pjesës së parë arriti ta dyfishojë epërsinë.
Golin e dytë për kuqezinjtë e realizoi Ernest Muçi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Muçi realizoi gol të bukur.
Në pjesën e dytë, Bjellorusia pati disa tentime për kthim në lojë, por pa arritur të konkretizojë.
Shqipëria pati mundësi për të shënuar edhe në pjesën e dytë, me Myrto Uzunin dhe Taulant Seferin, që rrezikuan portën e Bjellorusisë përmes kundërsulmeve.
Megjithatë, deri në fund nuk pati ndryshim të rezultatit, derisa porta e Etrit Berishës nuk u rrezikua.
Berisha u kthye si startues te Shqipëria pas një kohe të gjatë.
Portieri 37-vjeçar i Hackenit suedez nuk kishte luajtur për Shqipërinë në ndeshje zyrtare që prej 17 nëntorit të vitit 2023. Ishte paraqitur në kualifikimet për “Euro 2024”, në barazimin 1:1 me Moldavinë.
Ndërkohë kjo ishte ndeshja e parë zyrtare e italianit Rolando Maran në krye të shtabit teknik te kuqezinjtë.
Të martën, Shqipëria luan në udhëtim ndaj San Marinos, ndërsa më 3 tetor luan po në udhëtim ndaj Finlandës.
Këtë grumbullim e përfundon më 6 tetor në ndeshjen në Tiranë ndaj San Marinos.
Në nëntor luan në shtëpi ndaj Finlandës dhe në udhëtim te Bjellorusia.
Shqipëria në dy edicionet e kaluara ishte në Ligën B. Por ka rënë në Ligën C të Ligës së Kombeve për edicionin 2026/2027.
Synimi i Shqipërisë është ta përfundojë grupin në vendin e parë dhe të kthehet në Ligën B.
Maran e Muçi të kënaqur me fitoren e Shqipërisë
Selektori i Shqipërisë, Rolando Maran, është shprehur i lumtur me fitoren ndaj Bjellorusisë.
Shqipëria fitoi 2:0 në “Air Albania” në kuadër të Grupit C1 të Ligës së Kombeve.
Maran ka deklaruar se ishte ndeshje e vështirë ndaj Bjellorusisë.
“E prisja. Djemtë kanë interpretuar çdo gjë që punuam gjatë javës. Jam i lumtur që tifozët tonë e panë skuadrën të luante mirë. Jemi të lumtur. Nuk jam surprizuar nga Bjellorusia. E dinim që e vështirë. Sipas statistikave, kishim 20 gjuajtje. Ka pasur gjashtë ndeshje me rezultat pozitiv. Patëm vështirësi në fillim”, ka thënë italiani Maran.
Golin e dytë për kuqezinjtë e shënoi Ernest Muçi që gjithashtu u shpreh i kënaqur me fitoren në Tiranë.
“Jam shumë i lumtur që u ktheva. Ishte shumë e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje. Falënderoj trajnerin për besimin. Kemi tri ndeshje të tjera, për të dalë të parët në grup. Golin ia dedikoj familjes time”, u shpreh sulmuesi i Trabzonsporit.
Formacioni zyrtar i Shqipërisë ndaj Bjellorusisë
Selektori i Shqipërisë, Rolando Maran, e ka publikuar formacionin zyrtar për ndeshjen ndaj Bjellorusisë.
Ndeshja zhvillohet në “Air Albania” nga ora 20:45 dhe i takon Grupit C1 të Ligës së Kombeve.
Në portë kthehet Etrit Berisha. Mbrojtja përbëhet nga Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti dhe Stavro Pilo.
Në mesfushë janë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani dhe Taulant Seferi.
Sulmit i prijnë Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Ernest Muçi.
