Sport

Kolonia shqiptare në Zagreb

Indrit Tuci në krye të sulmit. Lirim Kastrati në krahun e djathtë e Myrto Uzuni në të majtin. Enis Çokaj në qendër të mesfushës e Jon Mersinaj në qendër të mbrojtjes.

Në shumë ndeshje të stinorit vjeshtor, Lokomotiva e Zagrebit kishte këta lojtarë në përbërjen bazë. Plot pesë futbollistë shqiptarë ishin startues te Lokomotiva. Gjysma e ekipit, nëse nuk llogaritet portieri, shkruan sot Koha Ditore.

Mersinaj, Çokaj, Kastrati, Tuci e Uzuni të dielën kanë nisur stërvitjet me Lokomotivën për pjesën e dytë të edicionit në kampionatin e Kroacisë në futboll. Atyre në stërvitje u është bashkuar edhe Albion Marku, që do të jetë pjesë e ekipit të parë të Lokomotivës në pranverë. Të tjerë shqiptarë janë në kategoritë e reja të Lokomotivës.

“E kemi një koloni shqiptare te Lokomotiva”, ka thënë të hënën për gazetën njeriu kryesor i Lokomotivës, Bozhidar Shikiq. Ai zyrtarisht e mban postin e drejtorit, por është njeriu kryesor i klubit, vendos për të gjitha.

Lidhja e Shikiqit me futbollin shqiptar, sidomos atë të Shqipërisë, është shumë e fortë. Dhe rrjedhimisht Lokomotiva është prej klubeve joshqiptare me numrin më të madh të futbollistëve shqiptarë në formacion. Pesë ishin në vjeshtë, gjashtë do të jenë në pranverë e të tjera lëvizje të futbollistëve shqiptarë priten. Nuk përjashtohet mundësia që lëvizje të shqiptarëve në drejtim të Lokomotivës të ketë edhe në këtë afat kalimtar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)