Komiteti Olimpik i Kosovës ka ofruar 4 mijë euro për rehabilitimin e Majlinda Kelmendit pas operacionit që kreu në ligamentin kryqëzor të këmbës.
Pas operimit me sukses Kelmendi pritet të udhëtojë drejt Sllovenisë për të vazhduar rehabilitimin dhe për këtë ka marrë 4 mijë euro nga KOK-u.
“Ajo do ta vazhdojë rehabilitimin në Slloveni. Me këtë rast, Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka marrë vendim që për rehabilitimin e Majlinda Kelmendit ta mbështetë me 4 mijë Euro. Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon operimin me sukses të heroinës tonë dhe i dëshiron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
KOK-u kishte ndihmuar për heqjen e pjesshme të shpenzimeve të operimit të karateistit Alvin Karaqi. Pas lëndimit që kishte pësuar në Erzurum të Turqisë, Karaqi ishte ndihmuar me 3 mijë euro.
KOK-u mbështetjen financiare e bën vetëm për sportistët elitarë.