Sport

Koeman befason të gjithë, bën thirrje për durim

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, i befasoi gazetarët në konferencën për shtyp të mërkurën duke lexuar një deklaratë të përgatitur që kërkoi durim dhe praktikisht hodhi poshtë të gjitha shanset e ekipit për të arritur ndonjë rezultat domethënës këtë sezon.

Barcelona ka bërë një start të dobët këtë edicion pas largimit të Lionel Messit duke regjistruar vetëm dy fitore në katër ndeshjet e para të La Ligas, si dhe pësoi humbje 3:0 nga Bayern Munichu në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Kohët e fundit ka pasur shumë spekulime në lidhje me të ardhmen e Koemanit, por trajneri holandez tha se ai mbështetet nga klubi dhe kërkoi mbështetjen e tifozëve në “këto kohë të vështira”.

“Të përfundosh në një pozitë të lartë në ligën spanjolle do të ishte një sukses i madh”, tha Koeman, i cili u largua pa marrë asnjë pyetje nga gazetarët. “Futbolli evropian është një shkollë e mirë për të rinjtë tanë dhe ne nuk mund të presim ndonjë mrekulli në Ligën e Kampionëve”.

Ai tha se humbja ndaj Bayerni javën e kaluar duhet të shihet nga “kjo perspektivë”. Ajo humbje demoralizuese u pasua nga një barazim zhgënjyes 1:1 në shtëpi në ligën spanjolle kundër Granadas, gjithashtu në stadiumin “Camp Nou”. Klubit katalonjas i duhej një barazim në minutën e 90-të për të shmangur humbjen dhe u tall me shumë nga tifozët që ishin të pranishëm në stadium pas vërshëllimës së fundit. Koeman, që është nën presion për rezultatet e dobëta dhe paraqitjet e skuadrës, tha se ai ka mbështetjen nga klubi, por nuk përmendi fare presidentin Joan Laporta. Laporta dhe Koeman kanë pasur mosmarrëveshje kohët e fundit dhe presidenti nuk e fsheh faktin se holandezi nuk do të kishte qenë zgjedhja e tij si trajner për Barcelonan. Koeman u punësua nga ish-presidenti i klubit, Josep Bartomeu pas humbjes poshtëruese të skuadrës 8:2 nga Bayerni vitin e kaluar në Ligën e Kampionëve. Laporta ka thënë se një ndryshim i trajnerit tani do të ishte financiarisht i kushtueshëm për klubin.

“Klubi është me mua në këtë situatë të rindërtimit”, tha Koeman. “Situata financiare e klubit është e lidhur me rezultatet sportive dhe anasjelltas. Kjo do të thotë që ne duhet të rindërtojmë ekipin e futbollit pa qenë në gjendje të bëjmë ndonjë investim të rëndësishëm financiar. Kjo kërkon kohë dhe durim”.

Vështirësitë financiare të Barcelonës e penguan klubin t'ia ofrojë Messit një kontratë të re dhe lojtari argjentinas u largua si futbollist i lirë për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit. Koeman tha se procesi që ekipi po kalon tani “meriton mbështetje të pakushtëzuar në fjalë dhe në veprime”.

“Kjo nuk është hera e parë në historinë e FC Barcelona që po ndodh, kështu që kemi nevojë për mbështetje”, insistoi Koeman.

Komentet e Koemanit erdhën një ditë para se skuadra të luajë në udhëtim kundër Cadizit në kuadër të Ligës së Kampionëve. Barcelona aktualisht është në vendin e tetë në tabelë me po aq pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve të luajtura këtë edicion në kampionatin spanjoll.