Sport

Klubi zviceran degradon portierin që kërkohet nga Kosova

Klubi i Kategorisë së Dytë të Zvicrës, Schaffhausen, ka degraduar portierin që kërkohet nga Kosova, Amir Shaipi, raporton gazeta “Blick”.

Portieri 20-vjeçar po lihet në stol nga trajneri Murat Yakin, i cili po e preferon si numër një 34-vjeçarin David Da Costan, të cilin Schaffhausen e transferoi në verë.

“Shaipi është ende i ri dhe mund të përfitojë shumë nga Da Costa”, ka thënë Yakin.

Mirëpo reprezentuesi i U-21 të Zvicrës, Shaipi, nuk mendon të qëndrojë te Schaffhauseni me këtë situatë. Ai ka kontratë me klubin zviceran deri në verën e vitit 2022.

“Ne e respektojmë ardhjen e Da Costas, por nuk e pranojmë këtë situatë. Shaipi në moshën e tij duhet thjeshtë të luajë”, ka thënë agjenti i Shaipit, Baykal Bellusci.

Nuk është hera e parë që Shaipi po has probleme në klubin. Kishte probleme edhe vitin e kaluar.

Më herët nga Federata e Futbollit të Kosovës është thënë se janë duke biseduar me Shaipin, që vlerësohet si një talent i madh në Zvicër.