Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubi nga Bundesliga kritikon haptazi Kupën e Botës

Klubi gjerman i futbollit, Borussia Moenchengladbach, ka kritikuar ashpër Kupën e Botës në Katar dhe tha se do të ofrojë vetëm mbulimin minimal medial për lojtarët e tij që marrin pjesë në turne. Skuadra nga Bundesliga këtë e bëri të ditur nëpërmjet një komunikate të cilën e lëshoi dhjetë ditë para fillimit të turneut më të madh të futbollit.

“Nuk është e drejtë që Kupa e Botës po zhvillohet në Katar”, tha Gladbachu të enjten. “Në sytë tanë, vlerat që përfaqëson Borussia nuk përputhen me çmimet dhe organizimin e këtij Botërori. Kriteret kryesore, si respektimi i të drejtave të njeriut dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve të planetit tonë, duhet të merren seriozisht në konsideratë në dhënien e ardhshme të turneve të mëdha ndërkombëtare”.

Klubi iu referua “një sërë abuzimeve të të drejtave të njeriut” në Katar para turneut dhe tha se këto kishin shkaktuar reflektim nga tifozët në mbarë botën se si duhet t'i qasen atij. Klubi insistoi se përkrah të drejtat e njeriut dhe është kategorikisht kundër sjelljeve të tjera të pahijshme.

“Kushtetuta jonë parashikon që si klub ne do të jemi neutralë në lidhje me ideologjinë, politikën partiake apo besimin tonë dhe të qëndrojmë pa mëdyshje për një rend të lirë demokratik. Prandaj, ne jemi të përkushtuar ndaj parimit të drejtave të njeriut dhe qëndrojmë aktivisht kundër racizmit, ksenofobisë dhe sjelljeve antikushtetuese si dhe sjelljeve diskriminuese ose çnjerëzore”, vazhdoi komunikata e Gladbachut.

Gladbachu megjithatë, pranoi se turneu është një arritje në karrierën e lojtarëve.

“Të injorosh këtë nuk do të ishte e drejtë në sytë tanë. Si rezultat, ne kemi marrë vendimin të raportojmë vetëm për aktivitetet në fushë të lojtarëve tanë në kanalet tona të klubit”, shtoi klubi gjerman.

Edhe Gjermanët e çmendur pas futbollit ia kthejnë shpinën Kupës së Botës Sport Gjermanët e çmendur pas futbollit ia kthejnë shpinën Kupës së Botës

Rivali i Gladbachut në Bundesligë, Hoffenheimi tha më parë se po anashkalonte mbulimin e turneut që fillon javën e ardhshme në shenjë proteste kundër “shkeljeve të drejtave të njeriut dhe diskriminimit ndaj homoseksualëve në shtetin autokratik të Gjirit”.

Kupa e Botës nis më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor.