Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubet e Premier Leagues planifikojnë t’u kthehen stërvitjeve më 9 maj

Klubet e Premier Leagues planifikojnë t’u kthehen stërvitjeve më 9 maj, njofton “The Sun”.

Kryetrajnerët e klubeve kanë qenë në kontakt me lojtarët e tyre, duke u kumtuar atyre planin e ri.

Eddie Howe ka kontaktuar lojtarët e Bournemouthit duke i paralajmëruar ata se kur duhet të kthehen në stërvitje.

Sheffield United kishte planifikuar fillimisht të kthehej në stërvitje më 4 maj, por do të bëhen bashkë më 9 maj tash.

Burnley i Sean Dyches po ashtu do t’i kthehet stërvitjeve në të njëjtën kohë. West Ham Unitedi po ashtu po planifikon për t’u rikthyer në datën e njëjtë, siç po planifikon edhe Crystal Palace.

Premier League është pezulluar në afat të pacaktuar shkaku i pandemisë së koronavirusit. Krerët e ligës kanë thënë se garat do të rinisin kur të jetë sigurt.

Momentalisht masat kufizuese janë vendosur nëpër Britaninë e Madhe dhe ato do të rishikohen më 7 maj.

Por, Premier League po planifikon të rikthehet pa shikues në qershor.

“Lojtarëve është duke iu thënë të bëhen gati që në mesin e qershorit të vazhdojnë ndeshjet. E po ashtu të synohet fillimi i stërvitjeve në mesin e majit”, ka thënë një burim për “The Sun”.

Premier League po planifikon të luhet pa shikues, ndërsa stadiumi Wembley mund të përdoret për të organizuar deri në katër ndeshje në ditë. Po ashtu është duke u biseduar që ndeshjet të transmetohen edhe në kanalet pa pagesë si BBC e ITV. 

Krerët e klubeve kanë biseduar nëpërmjet një video-konference më 17 prill, ndërsa është thënë se në skenarin më të mirë të mundshëm, ndeshja e parë do të luhet më 8 qershor.