Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Këshilli paralajmëron veprime konkrete për dhunën në ndeshjen e basketbollit

Një ditë pas skenave të pahijshme që u paraqitën në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, ka reaguar Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të hënën, Këshilli për Sport ka shprehur indinjatën e thellë dhe ka dënuar rëndë incidentet e shkaktuar nga tifogrupet “Plisat”, “Torcida”, “Arpagjikt” dhe “Shqiponjat”.

Ndeshja finale e luajtur të dielën u ndërpre dhe të gjithë tifozët u larguan nga palestra për shkak të incidenteve që shkaktuan.

Këshilli për Sport ka kërkuar nga organet që të ndërmarrin urgjentisht të gjitha veprimet përkatëse ligjore për identifikimin e personave që kanë kryer vepra të kundërligjshme dhe ndaj tyre të merren masat përkatëse për t’i dënuar. Po ashtu, është dënuar ashpër edhe sulmi i shkaktuar nga huliganët, siç ka thënë Këshilli për Sport ndaj katër zyrtarëve të Policisë së Kosovës që u lënduan.

Veprimet e tifozëve janë quajtur “huliganeske”, të cilat po prishin imazhin e përgjithshëm të shtetit dhe institucioneve që përkrahin dhe organizojnë ngjarjet sportive.

Pas shqyrtimit të rrethanave të përgjithshme, Këshilli ka hartuar katër kërkesa dhe rekomandime pas incidenteve që ndodhën në finalen e Superkupës së Kosovës.

Edhe Reagon edhe KOK-u: E turpshme ajo që ndodhi në ndeshjen në Prishtinë Sport Reagon edhe KOK-u: E turpshme ajo që ndodhi në ndeshjen në Prishtinë

Është kërkuar të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit që organizohen nga FBK-ja deri në njoftimin tjetër.

Po ashtu, FBK-së i është kërkuar që të aplikojë me rigorozitet maksimal ndaj këtyre ngjarjeve.

Këshilli ka kërkuar edhe nga MKRS-ja që në planifikimin e buxhetit për vitin 2023 të përfshihet vendosja e sistemit të kamerave në të gjitha palestrat sportive, ndërsa e njëjta gjë të bëhet edhe nëpër stadiumet e futbollit. Në fund të gjitha tifogrupeve që nuk janë regjistruar tek Departamenti i OJ!-ve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejtë dhe të deponojnë listën e emrave të kryesisë dhe të gjithë anëtarëve të Kuvendit të OJ!-së tek Drejtoria për Sport e Komunës përkatëse.