Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kërkohet që vaksinimi i lojtarëve të Bundesligës të bëhet i obligueshëm

Një politikan i lartë gjerman ka bërë thirrje që të bëhet e detyrueshme që të gjithë futbollistët profesionistë në Gjermani të vaksinohen, pasi vendi po përpiqet ta përmbajë një valë të katërt të egër të koronavirusit. Ai ka thënë se shpreson që thirrja e tij të dëgjohet dhe të gjithë lojtarët e Bundesligës të vaksinohen për të mos i rrezikuar të tjerët.

“Unë jam në favor të vaksinimit të detyrueshëm për grupe të caktuara profesionale, kjo është ajo që na duhet”, tha kreu i shtetit bavarez Markus Soeder. “Unë mendoj se do të ishte një sinjal i mirë nëse diskutojmë diçka të tillë edhe për sektorin e futbollit, si një sinjal i unitetit midis tifozëve dhe lojtarëve. Lojtarët e Bundesligës duhet ta kenë të obligueshëm vaksinimin”.

Vetëm tifozët plotësisht të vaksinuar lejohen të hyjnë në stadiumet e futbollit në Bavari, ndërsa lojtarët duhet të tregojnë vetëm një rezultat negativ të testit, tha Soeder. Sipas tij, kjo është plotësisht e padrejtë. Evidenca javore e regjistruar me rastet e prekura nga virusi në Gjermani arriti një rekord të ri të martën, një ditë pasi tejkaloi 300 në çdo 100.000 njerëz, hera e parë që ka kaluar këtë shifër që nga fillimi i pandemisë. Shifrat alarmante nxiten pjesërisht nga ritmet e ngadalta të vaksinimit. Rreth 90 për qind e futbollistëve në dy ligat kryesore të Gjermanisë janë plotësisht të vaksinuar, një shifër shumë më e lartë se mesatarja kombëtare 67.6 për qind. Por muajin e kaluar, mesfushori gjerman, Joshua Kimmich, ndezi debatin nëse duhet të jetë apo jo i detyrueshëm vaksinimi i futbollistëve, duke pranuar se ai kishte hequr dorë nga vaksinimi për “shqetësime personale”. Ylli i Bayern Munichut ishte një nga pesë lojtarët e karantinuar javën e kaluar, ndërsa ishte në detyrë ndërkombëtare me Gjermaninë, pasi bashkëlojtari i klubit Niklas Suele, i cili është plotësisht i vaksinuar, rezultoi pozitiv me koronavirus.

Të martën, Kimmich, si dhe bashkëlojtarët e tjerë të Bayernit, Serge Gnabry, Jamal Musiala dhe Eric Maxim Choupo-Moting, u larguan nga karantina dhe morën pjesë në stërvitje. Vetëm Suele, i cili ka simptoma të lehta, mbetet në karantinë shtëpie dhe humbet ndeshjen e kampionale që Bayerni e luan të premten kundër Augsburgut. Kreu i Bayernit, Oliver Kahn, e ka bërë të qartë pozicionin e klubit duke insistuar se “lojtarët tanë duhet të vaksinohen”. Vetëm një pjesë e vogël e yjeve të Bayernit kanë zgjedhur që të mos vaksinohen dhe Kahn thotë se pret që të gjithë të vaksinohen. Sipas tij, ata që tashmë nuk janë vaksinuar kanë filluar të shqetësohen.

“Pasojat e këtyre lojtarëve që nuk janë vaksinuar deri më tani janë të dëmshme jo vetëm për ata, por edhe për klubin. Ata tashmë e kanë parasysh se duhet të vaksinohen, në të kundërtën pasojat do t’i bartin vetë”, është shprehur Kahn.

Edhe Kimmich pranon të vaksinohet Sport Kimmich pranon të vaksinohet

E këto pasoja ishin të dukshme, pasi një numër i madh i lojtarëve të Përfaqësueses së Gjermanisë u detyruan të futeshin në karantinë, pasi ranë në kontakt të ngushtë me Niklas Suelen, kur ai rezultoi pozitiv. Megjithatë, ka ende persona të tjerë që janë kundër vaksinimit të detyrueshëm, përkundër thirrjeve nga të gjitha anët. Trajneri i skuadrës së Koelnit, Steffen Baumgart, paralajmëroi se është plotësisht kundër vaksinimeve të detyrueshme në futbollin profesionist gjerman.

“Është një qasje e gabuar. Pse duhet të ketë vaksinime të detyrueshme për futbollistët dhe jo për punonjësit e kujdesit, që kanë kontakte të përditshme me njerëzit?”, tha Baumgart. “Unë nuk i kuptojë këto thirrje, pasi për mua nuk janë aspak të pranueshme”.