Derisa lojtarët e Bundesligës shijuan pushimet dimërore, koronavirusi nuk mori asnjë ditë pushim.
Liga gjermane do të rifillojë në një gjendje jo të lehtë të premten, kur kampioni në fuqi, Bayern Munichu, do të ketë vështirësi për të krijuar një formacion fillestar konkurrues kundër Borussia Moenchengladbachut - një ekip që mposhti bavarezët 5:0 kur u takuan për herë të fundit në Kupën e Gjermanisë në muajin tetor.
Por edhe Gladbachu do të jetë i varfëruar. Joe Scally, Mamadou Doucoure, Denis Zakaria dhe Keanan Bennetts këtë javë u futën në karantinë pasi rezultuan pozitivë për COVID-19.
Bayerni kishte nëntë lojtarë, si dhe ndihmëstrajnerin Dino Toppmoeller në karantinë këtë javë për shkak të infeksioneve me koronavirus. Kapiteni i Bayernit, Manuel Neuer, dhe mbrojtësi Lucas Hernandez u infektuan gjatë pushimeve në Maldive, Kingsley Coman derisa ishte në Dubai dhe Corentin Tolisso sa ishte në shtëpi në Francë. Alphonso Davies, Leroy Sane, Dayot Upamecano, Omar Richards dhe Tanguy Nianzou kompletuan listën e të infektuarve të Bayernit pas kthimit nga pushimi dimëror. Me Bouna Sarr dhe Eric-Maxim Choupo-Motingun që janë në Kupën e Afrikës, trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, kishte vetëm 12 lojtarë në dispozicion për ndeshjen e së premtes, si dhe portierët Sven Ulreich dhe Christian Fruechtl. Nga ata 12, Leon Goretzka, Niklas Suele dhe Serge Gnabry kishin shqetësime për lëndime.
Sipas rregullave të reja, për të cilat klubet kanë rënë dakord në fillimin e pandemisë, liga gjermane e futbollit mund të miratojë një kërkesë për të anuluar një ndeshje të Bundesligës nëse një nga skuadrat ka më pak se 15 lojtarë në dispozicion, duke përfshirë të paktën një portier. Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq, pranoi se klubi shpresonte të shtynte ndeshjen e së premtes, por liga ka favorizuar vazhdimin e saj.
“Duket sikur do të luajmë dhe pastaj do të hyjmë në ndeshje për ta fituar atë”, tha Salihamixhiq.
Guvernatori i Bavarisë, Markus Soeder – vetë një tifoz i Bayernit - gjithashtu bëri thirrje që ndeshja të shtyhet në interes të "konkurrencës së ndershme".
Pavarësisht shpërthimit të koronavirusit, Bayerni kryeson Bundesligën me nëntë pikë më shumë, në gjysmë të edicionit, dhe favorizohet për të mbyllur kampionatin me titullin e dhjetë rresht, që do të jetë rekord. Për të mbuluar mungesat për duelin me Gladbachun, Nagelsmann ftoi 16-vjeçarët Arijon Ibrahimoviq dhe Paul Wanner. Nëse njëri do të debutojë kundër Gladbach, atëherë do të bëhet lojtari më i ri i klubit që do të luajë në Bundesligë.
Borussia Dortmund gjithashtu u dëmtua nga pushimi dimëror pasi Dan-Axel Zagadou dhe Marius Wolf u kthyen nga Dubai, përkatësisht Austria, të infektuar me koronavirus.
“Nuk është aq e thjeshtë për momentin, ka njëfarë pasigurie që na prek të gjithëve”, tha koordinatori i ekipit të Dortmundit, Sebastian Kehl. “Pavarësisht se ku jeni, nuk mund ta mbroni veten plotësisht nga varianti Omicron, qoftë me pushime larg apo këtu para derës së shtëpisë”.
Edhe kundërshtari i Dortmundit për duelin e së shtunës, Eintracht Frankfurti, ka lojtarë në karantinë.
Leipzigu njoftoj se Nordi Mukiele, Benjamin Henrichs dhe Dani Olmo ishin të infektuar, duke iu bashkuar lojtarëve të tjerë Christopher Nkunku dhe Solomon Bonnah në karantinë. Leipzigu po planifikon ta presë të shtunën skuadrën e Mainzit. Mainzi ishte një nga pesë klubet e Bundesligës që shpëtoi nga pushimi dimëror pa raportuar ndonjë rezultat pozitiv të testit për koronavirusin. Freiburgu, Koelni, Hoffenheimi dhe Arminia Bielefeldi ishin skuadrat e tjera që nuk janë prekur nga infeksionet.
Hertha Berlini po përpiqet të gjejë mbrojtës për ndeshjen e së dielës në shtëpi kundër Koelnit, pasi Linus Gechter u bë mbrojtësi i katërt që rezultoi pozitiv për COVID-19. Këtu përfshihet edhe transferimi më i ri, Fredrik Andre Bjorkanin.
Derisa Dedryck Boyata dhe Deyovaisio Zeefuik ishin në gjendje të riktheheshin në stërvitje të enjten pas rezultateve negative të testit të mërkurës, Santiago Ascacibar dhe Lucas Tousart dolën sërish pozitiv dhe mbetën në karantinë.
Stuttgarti ka katër lojtarë në izolim përpara vizitës te Greuther Fuerthi, ekip që zë vendin e fundit. Silas Katompa Mvumpa, Naouirou Ahamada, Konstantinos Mavropanos dhe Mateo Klimowicz i mungojnë Stuttgartit.