Kemal Ademi ka qenë në qendër të kritikave. Është e natyrshme për një sulmues kur ai nuk shënon gola. Sulmuesi 27-vjeçar në tre vjetët e fundit ka shënuar vetëm katër gola dhe madje në pesë skuadra të ndryshme.
Por Ademi nuk e ka humbur besimin. Ka edhe përgjigje për kritikët.
“Nëse dikush e ka dëshmuar veten në një ligë, patjetër që mund të thirret përsëri. E njoh mjaft mirë Superligën”, ka thënë Ademi për gazetën zvicerane “Blick”.
Ademi tregon pse vendosi të kthehej në Zvicër. Synim e ka ringjalljen e karrierës.
“Kur dëgjova se çfarë transferimesh po ndodhin ende në Luzern, isha një tifoz i madh i këtij projekti”, ka thënë Ademi, i cili ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2025 me skuadrën e Luzernit.
Pjesë e skuadrës elitare të Zvicrës janë edhe Ardon Jashari, Denis Simani, Ismajl Beka.
Ademi e njeh mirë Superligën zvicerane. Ai shkëlqeu në edicionin 2019/2020. Shënoi për Baselin 13 gola. Paraqitjet e tij bindën drejtuesit e Fenerbahçes ta blinin kartonin e sulmuesit nga Baseli.
Shtatlarti nuk pati periudhë të lehtë në Turqi. Shënoi vetëm një gol në 15 ndeshje në të gjitha garat. Pritjet ishin më të mëdha nga klubi turk. Ademi u huazua te skuadra tjetër turke Fatih Karagumruk. Por prapë nuk shkëlqeu. U largua pa shënuar asnjë gol në gjashtë ndeshje.
Në vitin 2021 u ble nga skuadra ruse, Khimki, ku në 13 ndeshje shënoi vetëm një gol. Nga një gol shënoi edhe për Paderbornin dhe Sandhausenin në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
“Me kualitetin e tij, Kemal Ademi është një përforcim ideal për qendrën tonë të sulmit. Kemali ka dëshmuar në të kaluarën se është kërcënim për portat kundërshtare dhe jemi të bindur se ai do të gjejë formën e vjetër në skuadrën tonë”, ka thënë drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer.
Ademi është i lindur në Gjermani, por është rritur në futbollin zviceran. Është zhvilluar te skuadrat Herisau e St. Gallen. Më pas ishte te Hoffenheimi në Gjermani, ndërsa shpërtheu te Xamaxi dhe Baseli në Superligën e Zvicrës.
Kemal Ademi për shumë kohë është kërkuar nga Kosova. Madje nga FFK-ja ishte thënë se në një moment ishte pranë që sulmuesi të zyrtarizohej si pjesë e Kosovës. Por, në momentin e fundit ndërroi mendjen. Ai ende nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese.