Fituesja e Kupës së Kosovës te femrat, Prishtina të mërkurën ka zyrtarizuar përforcimin e ri dhe të fundit për këtë edicion.
Tykyrah Williams (180 cm) që së fundi ka luajtur në elitën e basketbollit të Irlandës do të jetë pjesë e klubit bardhekaltër që ka fituar edhe Superkupën. Williams luan në pozitat 3/4 dhe do të jetë përforcimi i dytë pas Breannan Ferrar.
Ajo ka ardhur në vend të amerikanes tjetër, Latesha Buck që për arsye personale është kthyer në SHBA. Te Prishtina insistojnë se janë të gatshëm dhe të kompletuar për pjesën e dytë të këtij edicioni që nis muajin tjetër (2/3 shkurt).
“Pas largimit për arsye personale te Latesha Buck, menjëherë e kemi zëvendësuar me Tykyrah Willams dhe në pjesën e dytë do të jemi me dy të huaja. Me Williamsin jemi kompletuar dhe mund të them se kemi nga dy lojtare për çdo pozitë në pjesën e dytë dhe besoj se jemi të gatshëm të luftojmë për titull dhe kupë”, ka thënë trajneri Fidan Shatri për Koha.net.
Prishtina pjesën e parë të këtij edicioni e ka përfunduar në pozitën e tretë pas Penzës dhe Bashkimit që është kampion dimri.