Skuadra e Trepçës ka regjistruar disfatën e katërt rresht në po aq ndeshje të zhvilluara këtë vit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të mërkurën Trepça është mposhtur nga Ponte Prizreni në palestrën “Sezai Surroi” me rezultatin 91:86, në kuadër të xhiros së 23-të.
Me këtë fitore, Ponte Prizreni është ngritur në kuotën e 33 pikëve, derisa Trepça ka 24 pikë dhe renditet e parafundit në tabelë, transmeton Koha Ditore.
Për Ponte Prizrenin, kjo ishte fitorja e katërt në pesë ndeshjet e fundit. Më efikasi tek ekipi prizrenas ishte amerikani Ty Nichols me 30 pikë, derisa qendra Urim Zenelaj kontribuoi me “double-double” prej 25 pikëve e 25 kërcimeve.
Te Trepça, më të dalluarit ishin amerikanët Alanta Fenner e Dj Hanes. Fener ndeshjen e përfundoi me 25 pikë, derisa Hanes shtoi 24 sosh.
Të enjten do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje.
Prej orës 17:00 do të përballen Peja e Lipjani, derisa Sigal Prishtina e Feronikeli do të luajnë prej orës 19:00.