Një ditë pas humbjes së thellë në debutim të FIBA Europe Cup, KB Trepça ka prezantuar përforcimin e ri.
Bëhet fjalë për amerikanin Brevin Galloway, i cili luan në pozitën e fundorit. Trepça të enjten ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me 26-vjeçarin, që ekipit nga Mitrovica i bashkohet nga skuadra e Lituanisë, Nevezis. Galloway këtë edicion ka luajtur në total shtatë ndeshje në të gjitha garat për Nevezisin.
Në pesë paraqitje në kampionatin e LItuanisë, ai ka luajtur me një mesatare prej 10 pikëve dhe dy asistimeve për ndeshje, ndërsa në FIBA Europe Cup ka regjistruar dy paraqitje me mesatare prej 25 pikëve për ndeshje.
Trepça këtë edicion po debuton në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup dhe të mërkurën mbrëma u mposht në shtëpi me rezultatin e thellë 84:54 nga ZZ Leiden i Holandës. Galloway pritet të debutojë te Trepça të dielën në ndeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës kundër Bashkimit, që zhvillohet në Prizren.