Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KB Rahoveci prezanton trajnerin nga Irlanda

Daniel Nelson është trajneri i ri i KB Rahovecit, i cili në këtë post ka zëvendësuar Muhamed Thaqin e larguar javë më parë. Rahoveci, të hënën e ka prezantuar Nelsonin, i cili ka firmosur kontratë me klubin e Superligës së Kosovës deri në fund të sezonit.

Trajneri 38-vjeçar së fundmi ka punuar në Rumani, te skuadra Lagunas kurse më herët ka qenë edhe në krye të Omonias në Qipro.

Si asistent, Nelson ka punuar në Rusi dhe Gjermani, ndërsa punën te Rahoveci e ka nisur dhe do të debutojë të enjten në ndeshjen kampionale kundër Vëllaznimit. Po ashtu, Rahoveci ka paralajmëruar se ditëve në vijim do t’i bëjë publike edhe ndryshimet tjera në ekip, përfshirë edhe lojtarët e huaj.

Aktualisht, Rahoveci ka vetëm dy fitore karshi 12 humbjeve në 14 ndeshje të luajtura këtë edicion. Zë vendin e fundit në tabelë me 16 pikë të mbledhura.