Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kazuyoshi Miura, lideri i “gjeneratës së vjetër” të futbollistëve japonezë

Tokio, 24 shkurt - Sulmuesi japonez Kazuyoshi Miura po përgatitet të luajë edhe një sezon tjetër, megjithëse ka mbushur 54 vjet këtë javë. Mirëpo ai nuk është lojtari i vetëm i “gjeneratës së artë” të futbollit në Japoni. Në fakt, Miura është vetëm njëri prej disa futbollistëve veteranë që do të paraqiten këtë vit në futbollin e Japonisë.

Miura, i njohur më mirë si “Mbreti Kazu”, do të kërkojë të zgjasë rekordin e tij si titullari më i vjetër i kategorisë së parë të J-League kur klubi i tij, Yokohama FC do të fillojë sezonin të shtunën. Mirëpo ai nuk do të jetë veterani i vetëm që do ta sfidojë moshën e tij në edicionin e ri, me nëntë lojtarë mbi 40 vjeç, që aktualisht do të jenë pjesë e ekipeve që garojnë në tri divizionet e para të Japonisë.

“Unë mendoj se kultura japoneze ka diçka të bëjë me jetëgjatësinë e Miuras si futbollist profesionist”, tha 40-vjeçari Keiji Tamada, sulmues i ekipit V-Varen Nagasaki, që garon në kategorinë e dytë të Japonisë. “Sigurisht që synimi është të luajmë në ndeshjet e sezonit të ri, por unë mendoj se shumë lojtarë qëndrojnë me ekipet e tyre, sepse ata mendojnë se mund të japin një kontribut përtej kësaj”.

Miura, i cili po përgatitet të fillojë sezonin e tij të 36-të në karrierë, u bë lojtari më i vjetër në botë që shënoi në një ndeshje profesionale në vitin 2017, kur realizoi me 50 vjet e 14 ditë. Ai e zgjati rekordin e tij të J-League si titullari më i vjetër në shtator të vitit të kaluar kur u aktivizua në njërën prej katër paraqitjeve që i bëri te Yokohama në ligë edicionin e shkuar.

“Jam shumë i lumtur që do të jem i gatshëm për sezonin e ri. Me padurim pres të luaj në këtë kohë kur bota po përballet me një situatë të vështirë për shkak të koronavirusit. Personalisht, vitin e shkuar nuk ishte një sezon i kënaqshëm, por ambicia dhe entuziazmi im për futbollin po rriten dhe për këtë arsye nuk e kam ndërmend të ndalem”, insistoi Miura.

Edhe Miura 53-vjeçar vendos ta vazhdojë karrierën në futboll Sport Miura 53-vjeçar vendos ta vazhdojë karrierën në futboll

Megjithatë, Miura, i cili e filloi karrierën e tij profesionale në vitin 1986 nuk është i vetmi veteran që në sezonin e ri do të luajë në J-League. Ish-mesfushori i Celticut, Shunsuke Nakamura, po vazhdon të mbetet i fortë në moshën 42-vjeçare, ndërsa ish-futbollistët e Përfaqësueses së Japonisë, Junichi Inamoto, Yasuhito Endo dhe Teruyoshi Ito - tani 46 vjeçarë- të gjithë po luajnë në dekadat e tyre të pesta. Ish-partneri i Miuras te Japonia, Masashi Nakayama, 53 vjeç, ishte regjistruar si lojtar tek ekipi Azul Claro Numazu i kategorisë së tretë deri në muajin e kaluar, megjithëse paraqitja e tij e fundit në J-League erdhi si 45-vjeçar në vitin 2012. Mesfushori Shinji Ono, tani 41 vjeç dhe është duke u përgatitur për sezonin e tij të 24-t profesional, thotë se brezi i vjetër “nxit njëri-tjetrin”.

“Ndonjëherë takohemi dhe flasim njëri me tjetrin”, tha Ono, i cili bëri 14 paraqitje në divizionin e dytë sezonin e kaluar para se të kalonte tek ekipi elitar për këtë edicion, Consadole Sapporo. “Por ne kurrë nuk flasim për kohën se kur do të dalim në pension, sepse ne të gjithë po e shijojmë futbollin”.

Futbollistët që luajnë deri në të 40-t e tyre janë relativisht të rrallë në Evropë, me portierin e Juventusit, Gianluigi Buffon dhe mbrojtësin e Montpellierit, Hilton - të dy 43 vjeçarë- dy nga të paktët lojtarë aktivë.

Mbrojtësi nga Holanda, Calvin Jong-a-Pin, bashkëlojtar i Miuras te Yokohama, beson se shkaku kryesor që lojtarët vazhdojnë të jenë aktivë në Japoni përtej moshës 40-vjeçare, është natyra e lojës më pak fizike në J-League. Sipas tij, kjo i ndihmon shumë veteranët që të kenë vazhdimësi në karrierë dhe të luajnë më gjatë. Mirëpo, ai thotë se Miura është shumë mirë i përgatitur fizikisht, gjë që i ka befasuar të gjitha.

“Ai është shumë i motivuar dhe thjesht një profesionist i vërtetë”, tha Jong-a-Pin 34-vjeçar. “Në stërvitje, ne kemi seanca të vështira ku duhet të vrapojmë, dhe ai vrapon si i çmendur. Ai është lojtari i parë që i bën të gjitha xhirot dhe u prin të tjerëve në seancat e vrapimit”.

Jong-a-Pin thotë se Miura ka një trajner personal “i cili e ndjek atë kudo”, dhe madje ka shoferin e tij “në mënyrë që ai të mos humbasë energjinë duke vozitur veturën nga shtëpia në klub dhe anasjelltas”.

Ono, i cili ka luajtur në Holandë, Gjermani dhe Australi, thotë se ai gjithashtu kujdeset për trupin e tij dhe po ndihet “në formë vërtet të mirë” në prag të sezonit të ri.

“Unë nuk mendoj për pensionin, por as për të ardhmen”, insistoi Ono. “Nëse asnjë klub nuk më dëshiron, dhe unë nuk do të kem një ekip për të luajtur, atëherë nuk do të më mbetet gjë tjetër veçse të tërhiqem nga futbolli aktiv. Ajo ditë do të vijë në një moment, por deri atëherë do të kënaqem duke luajtur futboll”.

Edhe 53 vjeçari Miura, futbollisti më i vjetër në histori të ligës japoneze Kuriozitet 53 vjeçari Miura, futbollisti më i vjetër në histori të ligës japoneze

Sa i përket Miuras, Jong-a-Pin beson se do të duhet një veprim i Zotit për ta bërë atë të varë këpucët në gozhdë.

“Ai më tha se do të vdiste në fushë”, tha Jong-a-Pin. “Unë e besoj atë. Dikush duhet ta bëjë atë të ndalet, sepse ai nuk do të ndalet”.