Futboll

58-vjeçari Miura nuk e ka ndërmend të pensionohet

Kazuyoshi Miura

Sulmuesi legjendar japonez, Kazuyoshi Miura, 58-vjeçar, i njohur ndryshe si “King Kazu”, nuk e ka ndërmend të pensionohet.

Miura do t’i bashkohet skuadrës Fukushima United në kategorinë e tretë të futbollit japonez si i huazuar për një vit. Në sezonin e kaluar ishte i huazuar tek Atletico Suzuka, që nuk e siguroi mbijetesën dhe ra në ligën regjionale. Kartonin e Miuras e ka Yokohama e elitës së futbollit japonez. 

Ky do të jetë edicioni i 41-të si futbollist profesionist për Miuran.

Ish-reprezentuesi i Japonisë më 26 shkurt do ta festojë ditëlindjen e 59-të.

“King Kazu” e nisi karrierën si futbollist profesionist në vitin 1986, kur debutoi te klubi brazilian, Santos. Nga ajo kohë ai ka luajtur në Itali, Australi e Portugali. Në vitin 1999, i luajti 12 ndeshje për Dinamon e Zagrebit.

Për Suzukan në sezonin e kaluar, Miura i luajti shtatë ndeshje.

Me Japoninë debutoi në vitin 1990, ndërsa i ka 55 gola të shënuar në 89 paraqitje.