Me tri gola të realizuar në periudhën e 15-të minutave të fundit, Kazakistani ka shokuar Danimarkën në ndeshjen e dytë kualifikuese për “Euro 2024”. Kazakistani të dielën gjatë ditës fitoi ndaj Danimarkës me rikthim të rezultatit, 3:2, në kuadër të Grupit H kualifikues.
Në ndeshje që u zhvillua në Astana Arena, Rasmus Hojlund i shënoi dy golat e para për mysafirët. Sulmuesi i Atalantas që shënoi “hat-trick” ndaj Finlandës në duelin e parë, realizoi në minutën e 21-të dhe të 36-të. Bakhtiyor Zaynutdinov ngushtoi epërsinë në minutën e 73-të, kur edhe nisi rikthimi i madh. Askhat Tagybergen barazoi rezultatin në 2:2 në minutën e 86-të, kurse në minutën e 89-të, Abat Aymbetov, shënoi për 3:2.
Aymbetov u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e gjashtë të shtesës dhe u përjashtua nga loja. Danimarka pas dy ndeshjeve ka tri pikë në dy ndeshje, aq sa ka edhe Kazakistani.