Pranimi i Federatës së Futbollit e Kosovës në Shtëpinë Botërore të Futbollit (FIFA), ishte vula përfundimtare e thyerjes së izolimit të futbollit kosovar.
Katër vjet më parë, FFK-ja u pranua në FIFA në Kongresin 66-të të mbajtur në Meksikë, si anëtarja e 210-të. Edhe në Meksikë delegacionin e Kosovës e udhëhoqi legjenda Fadil Vokrri. Pranimit në FIFA i parapriu pranimi në UEFA, në Kongresin e mbajtur më 3 maj në Budapest të Hungarisë. Me t’u pranuar në FIFA, Kosova fitoi edhe të drejtën e garimit në kualifikimet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, ndërsa ndeshja e parë zyrtare kualifikuese ishte kundër Finlandës që përfundoi, 1:1.
“3 maji dhe 13 maji janë dy datat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës. Derisa para 10 ditësh e shënuam 4–vjetorin e anëtarësimit në UEFA, sot e shënojmë 4-vjetorin e anëtarësimit në familjen botërore të futbollit – FIFA. Këto dy data i dhanë vlerë dhe hov zhvillimit të futbollit tonë, i cili në këto vite ka bërë hapa të mëdhenj përpara”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Për 4 vjet pranim Kosova ndjek ëndrrën për kualifikim në Euro 2020, që është shtyrë për vitin tjetër shkaku pandemisë së koronavirusit. Kualifikimin në Evropian Kosova e synon nëpërmjet Ligës së Kombeve. Në gjysmëfinale do të këtë punë në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut, ndeshje e paraparë të luhet në tetor ose nëntor.
“Data 13 maj 2016, është datë e shënuar në historinë e futbollit të Kosovës, pasi rezultoi me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Sot është 4 vjetori i pranimit të FFK-së në organizatën kryesore të futbollit në botë dhe si datë ka një domethënie e një rëndësi për sportin e futbollit në vendin tonë. Kjo datë ka sjellë epilogun e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, duke i dhënë një shtysë zhvillimit dhe avancimit të futbollit në vendin tonë, i cili ka qenë një sport që është kultivuar dhe ka pasur traditë ndër vite në Kosovë”, ka thënë Dumoshi.