Federata e Futbollit e Kosovës i ka kushtuar publicitet pesëvjetorit të pranimit në Konfederatën Evropiane të Futbollit. Më 3 maj të vitit 2016 në Budapest të Hungarisë, Kosova u bë anëtare e UEFA-s e dhjetë ditë më pas edhe e FIFA-s.
Pranimi i FFK-së në UEFA e FIFA, ndonëse e fundit prej federatave sportive të vendit, është përcjellë me zhvillim të hovshëm të futbollit kosovar. Milionat nisën të vinin kryesisht nga UEFA dhe buxheti i FFK-së u shumëfishua për kohë të shkurtër. Përfaqësueset e Kosovës shpejt nisën me gara ndërkombëtare, ndërsa nuk vonoi shumë edhe klubet nisën me paraqitje në Kupa Evropiane. Të hyrat për klube e federatë janë dukshëm më të mëdha se deri në vitin 2016. Të hyrat janë rritur edhe për lojtarët.
Ka vlerësime se niveli i futbollit në vend është rritur goxha shumë gjatë këtyre pesë vjetëve. Është përmirësuar ndjeshëm edhe infrastruktura, ndonëse jo në shkallën e pritur.
Për të arriturat ka shkruar edhe Agim Ademi, kryetar i FFK-së.
“Gjatë këtyre pesë vjetëve si pjesë e UEFA-s, kemi bërë progres të madh në të gjitha aspektet dhe jemi dëshmuar si storie suksesi. Tanimë FFK-ja gëzon respektin dhe simpatinë e UEFA-s dhe të gjitha federatave simotra. Për një cikël të shkurtër kemi arritur ta dëshmojmë potencialin tonë, si me ekipet kombëtare, po ashtu edhe me klubet, por edhe me masivizimin e futbollit te të rinjtë dhe te femrat. Anëtarësimi në UEFA pashmangshëm na ka ndihmuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës, ku tashmë janë duke u realizuar shumë projekte, derisa në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe ato lokale, besojmë se do të bëjmë edhe më tepër në vitet e ardhshme”, ka shkruar Ademi në një letër të gjatë të publikuar në mëngjesin e së hënës.
Për pesëvjetorin e pranimit në UEFA kanë uruar edhe lojtarët e Kosovës, Samir Ujkani, Valon Berisha, Vedat Muriqi e Mërgim Vojvoda. Ka uruar edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka.
Por, futbolli kosovar megjithatë, nuk është në gjendjen që është shpresuar se do të jetë pas pesë vjetësh, në 3 majin historik të vitit 2016. Ai vazhdon të goditet fuqishëm nga brenda.
Në javët e fundit dyshimet për kurdisje të rezultateve kanë qenë shumë të mëdha. Është kjo “plaga” më e madhe, që futbollin kosovar e ka munduar edhe para pranimit në UEFA. Dhe vazhdon ta mundojë ende çdo fund të kampionatit.
Pos analistëve e njohësve të futbollit, FFK-në për përfshirje në kurdisje e ka akuzuar edhe klubi Ballkani, që po lufton për titull të kampionit në Superligë. FFK-ja u përgjigj me krijimin e një Task-Force për të luftuar parregullsitë dhe gjobiti Ballkanin për “akuzat e pabazuara”. Ndërkohë, për kurdisje kërkoi fakte dhe denoncime. Kjo praktikë nuk ka ndryshuar për mbi një dekadë. Ishte e njëjtë edhe para pranimit në UEFA.
Edhe arbritrat herë pas here shënjestrohen për përfshirje të pavend në garën mes skuadrave.
Është pritur që pas pranimit të UEFA-s, në Kosovë autoritetin për të organizuar gara të futbollit do ta ketë vetëm FFK-ja. Por kjo nuk ka ndodhur, njëjtë si në sportet e tjera. Në Kosovë organizohen edhe gara të Federatës së Futbollit të Serbisë. Për më tepër, këtë vit serbët e Kosovës kanë nisur me krijimin e përzgjedhjeve për grupmosha të reja të “Federatës së Futbollit të Kosovës e Metohisë”, organizatë kjo ilegale që funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë. Është paraqitur plani edhe për krijimin e përzgjedhjes seniore të serbëve të Kosovës, që do të ishte një goditje tjetër ndaj futbollit kosovar.
Telashet e drejtuesve të FFK-së me ligjin janë po ashtu goditje që futbolli po e merr nga brenda. Ende nuk është rregulluar statusi i shumë klubeve e po ashtu një pjesë e klubeve nuk e kanë të plotësisht të njohur burimin e të hyrave.
Sa u takon përfaqësueseve, ato janë zhvilluar goxha shumë. Të gjitha përfaqësueset janë konsoliduar. Madje përfaqësuesja A ishte pranë kualifikimit në Evropian, por u ndal në gjysmëfinale të barazhit nga Maqedonia e Veriut.
Në dy vjetët e fundit në fakt rezultatet ishin larg prej atyre të synuara. Pas pranimit në UEFA e FIFA, Kosova miqësoren e parë e luajti me Ishujt Faroe. Tani miqësore luan me San Marinon e Kazakistanin, që janë të përafërta me Ishujt Faroe, nëse jo nivel më të ulët. Në FFK kanë thënë se UEFA u ka ndihmuar të gjejë rivalët për qershor dhe se ajo merr për bazë nivelin e përfaqësueseve. Kjo mund të vlerësohet dëshmi se rritja e përfaqësueses, me gjithë bujën e jashtëzakonshme, nuk ishte ajo e synuar.