Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i është përgjigjur kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama, i cili e akuzoi atë se për shkak të prapavijave politike, po e bllokon buxhetin komunal, derisa ka përmendur mosdaljen e pagave për punëtorët e ndërmarrjes “Gjelbër”.
Murati ka thënë se ndërmarrjet komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe qeveria qendrore nuk ka asnjë kompetencë te to.
Sipas tij, shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Ka shtuar se kjo është arsyeja kryesore dhe se “gjithçka tjetër është broçkulla”.
“Dështimi total në qeverisje nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta, Përparim. Para kolapsit janë edhe ato ndërmarrje që financohen kryekëput nga tarifat për shërbimet që ofrojnë, e kjo nuk ka lidhje me buxhetin komunal, por thjesht është keqmenaxhim i komunës. Kjo ka ndikuar që shumë projekte që financohen nga partnerët ndërkombëtarë ose të vonohen apo edhe të rrezikohet në tërësi implementimi i tyre”, ka shkruar ai.
Murati ka thënë se Qeveria nuk mund të bllokojë buxhetin e asnjë komune.
“Kurse sa i përket buxhetit, tashmë disa herë e kam sqaruar për publikun se qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune. Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projekt-buxhetin brenda afatit ligjor. Këtë e di mirë edhe Përparim Rama, por që i përballur me dështimet gjithandej pas 4 viteve keqqeverisje, mendon se mund t’i mashtrojë votuesit duke hedhur fajin tjetër kund”, ka shkruar ai.