Përfaqësuesja e Kosovës udhëtoi në Dubai me 11 karateistë. Por, vetëm katër prej tyre do ta vazhdojnë rrugëtimin për medalje në Kampionatin botëror për seniorë. Për medalje të bronztë, në garë janë: Elhami Shabani, Fortesa Orana, Ylli Cenaj dhe Albulena Gërvalla. Katër karateistët e Kosovës do të garojnë për medalje të bronztë, të enjten. Rruga për të fituar medalje do të jetë e gjatë, por edhe e vështirë për karateistët. Megjithatë, të gjithë thonë se i kanë mundësitë dhe motivin e duhur për t’ia siguruar Kosovës medaljen nga Botërori, që po mbahet në Dubai, në të cilin po marrin pjesë 962 karateistë të shteteve të ndryshme të botës.
Njëri ndër karateistët më të mirë në Kosovë, Elhami Shabani, beson fuqishëm se do ta fitojë medaljen. Ai e mbështet besimin në përgatitjen e mirë që e ka bërë.
“Shortin e kam goxha të vështirë. I kam dy garues, që kanë qenë pjesëmarrës në Olimpiadë, ndërsa njëri prej tyre e ka fituar medaljen e bronztë, ndërsa tjetri ka qenë afër medaljes. Por, jam goxha mirë i përgatitur, asnjëherë më mirë nuk kam qenë dhe besoj fuqishëm që do të eci tutje. Duelin më të vështirë e kam luftën e tretë me fituesin e medaljes olimpike, hungarezin Gabor Harspataki”, ka thënë Shabani të
mërkurën për KOHËN.
Shabani, që garon në kategorinë deri 75 kilogramë të martën, u ndal në luftën për të artën, ndërsa duelin e parë për medalje të bronztë do ta këtë kundër karateistit nga Danimarka, Viberg Larsen Mads.
Edhe karateistja Fortesa Orana e kategorisë mbi 68 kilogramë fitoi dy luftërat e para, por u ndal në luftën e tretë, ndërsa për të luftuar për vendin e tretë i duhet të fitojë dy luftëra. Në luftën e parë e pret fituesen e ballafaqimit në mes të karateistes nga Uzbekistani, Mokhlaroyim Khakimjonova, dhe hungarezes Dorottya Pap.
“Deri këtu ku kam arritur është mirë vetëm se më duhet të fitoj dy luftëra të enjten patjetër për t’u ndeshur për vendin e tretë. Gjasat i kam 100 për qind për medalje, por tash nuk i dihet. E përgatitur jam maksimalisht”, është shprehur Orana.
Ndërkohë, të mërkurën, në ditën e dytë të Botërorit, karateistët e Kosovës nuk kaluan shumë luftëra. Por, dy prej tyre, Ylli Cenaj dhe Albulena Gërvalla, do të vazhdojnë garën për medalje nëpërmjet repesazhit. Gërvalla u paraqit në kategorinë deri 55 kilogramë, ndërsa u ndal në luftën e dytë. Gërvalla do të përballet me garuesen nga Singapori, Ying Shi Tan. Po ashtu, Ylli Cenaj në kategorinë deri 67 kilogramë do ta vazhdojë rrugëtimin për medalje të bronztë nëpërmjet repesazhit. Xhiron e parë Cenaj e kaloi pa luftë, ndërsa u ndal në xhiron e tretë. Përzgjedhësi i Kosovës në karate, Ylber Syla po ashtu është shprehur optimist se secili nga katër karateistët i ka mundësitë e veta për të fituar medalje. Paraqitjen deri tash të karateistëve në Dubai, Syla e cilëson të shkëlqyer
“Ka qenë një paraqitje e shkëlqyer nga karateistët e Kosovës, duke marrë parasysh që gara individuale e tyre ka marrë fund, por presim një paraqitje shumë të mirë të enjten, ku katër garues i kemi në garë për medalje”, ka thënë Syla.
Ai insiston se secili ka mundësitë dhe për këtë arsye pret nga gjithsecili medalje.
“Prej secilit garues pres ta ketë paraqitjen sa më të mirë, pasi gara në repesazh është mundësia e dytë për medalje. Pres medalje nga secili. Secili është dhe duhet të jetë i kompletuar në garat e tyre”, është shprehur Syla.
Ndërkohë, ai ka thënë se rrugën më të “lehtë” për të arritur te medalja e ka karateistja Orana.
“Më së afërmi e kemi Fortesa Oranën, ka fituar dy luftëra, të enjten i ka dy xhiro dhe mendoj se ka kapacitet për të fituar medaljen e bronztë. Por, them se të gjithë kanë mundësitë e tyre”, ka thënë Syla
Të martën dhe të mërkurën, garoi edhe Albinot Selmani në kategorinë deri 60 kilogramë. Xhiron e parë e kaloi pa luftë, ndërsa u ndal në xhiron e tretë.
Hatixhe Zejnullahu u paraqit në kategorinë deri 50 kilogramë, ndërsa u eliminua në xhiron e parë.
“Edhe Herolind Nishevci kishte paraqitje të mirë në kategorinë mbi 84 kilogramë, ku në xhiron e parë mundi garuesin nga Serbia, për të vazhduar me fitore nga garuesi nga Afrika e Jugut, u ndal nga garuesi i Shteteve Bashkuara te Amerikës me vendim të gjyqtarëve, sepse në kohën e rregullt rezultati ishte baras 1:1. Benjamin Shabani u paraqit në kategorinë deri 84 kilogramë, ku xhiron e parë e kaloi pa kundërshtarë, kurse në të dytën u ndal nga garuesi i Ukrainës. Diellza Sejdiaj u paraqit në kategorinë deri ne 61 kilogramë, e cila u ndal në xhiron e parë nga garuesja e Finlandës me rezultat minimal 2:1”, thuhet në njoftimin e Federatës së Karatesë së Kosovës.