E diela ishte një ditë jo e mirë për karateistët e Kosovës në Lojërat Mesdhetare, që po mbahen në Oran të Algjerisë. Tre prej pesë karateistëve pjesëmarrës nga Kosova janë eliminuar në ditën e parë të garave, ndonëse pritjet prej tyre ishin të mëdha. Prej tyre priteshin medalje.
Fituesi i medaljes së bronztë në Evropianin e këtij viti, Elhami Shabani, u eliminua që në rundin e parë. Ai pësoi disfatë nga kampioni olimpik nga “Tokio 2020”, italiani Luigi Busa. Shabani garoi në kategorinë deri 75 kilogramë.
Në luftën e parë u ndal edhe karateistja Adelina Rama. Një fitore e dy humbje i kishte Albulena Gërvalla.
Karateisti Shabani dhe selektori i Kosovës, Ylber Syla, eliminimin e hershëm e arsyetuan me short të vështirë.
“Shorti ka qenë më i keqi i mundshëm që ekziston. Në një anë kanë qenë kampioni olimpik, nënkampioni botëror, kampioni evropian dhe unë si i treti i Evropës. Të gjithë në një anë. Konkurrenca ka qenë shumë e fortë, gara ishte shumë e mirë, lufta shkoi super, por në fund kundërshtari shkoi tutje me fitore 1:0”, ka thënë Shabani për KOHËN.
Karateistja Rama garoi në kategorinë deri 61 kilogramë. Ajo humbi nga karateistja e Qipros, Anthi Stylianou.
Albulena Gërvalla e kaloi pa luftë rundin e parë. Në luftën e parë të saj mposhti francezen, Assma Charif. Në gjysmëfinale humbi nga karateistja algjeriane, Albouriche Louiza, ndërsa në luftë për medalje të bronztë humbi nga karateistja italiane, Veronica Buonori. Me një fitore e dy humbje, u rendit e pesta në kategorinë deri 55 kg.
“Te Elhami Shabani nuk patëm fat në short. Luftën e parë e kishte kundër Luigi Busa nga Italia, që është garuesi më i mirë në botë dhe kampion olimpik. Shabani humbi me rezultat 1:0, ndërsa italiani më pas pësoi disfatë nga karateisti i Egjiptit dhe kështu Shabani mbeti pa repesazh. Albulena Gërvalla e kaloi pa luftë rundin e parë, ndërsa e mposhti në rundin e dytë franceze, Assma Charif, kampione bote për U21. Adelina Rama pati paraqitje të mirë, mirëpo u eliminua”, ka thënë Syla për KOHËN.
Të hënën do të garojnë dy karateistët e fundit, Melos Gashi i kategorisë deri 84 kilogramë dhe Fortesa Orana e kategorisë mbi 68 kilogramë.
Përzgjedhësi Syla ka theksuar se nga Orana pret medalje.
“Melos Gashi është garues i mirë, por i ri. Pres një paraqitje të mirë nga ai dhe pres medalje nga Fortesa Orana. Konkurrenca është shumë e fortë, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e Egjiptit, nikoqirit Algjerisë, Italisë. Në Lojëra Mesdhetare marrin pjesë të gjithë garuesit më të mirë, kampionë evropianë e botërorë dhe gjithçka është në rregull, edhe te paraqitja jonë këtu. Ka qenë mundësia më e mirë. Elhamiu nuk pati fat, është i treti i Evropës. Shorti te Fortesa është në favorin tonë, por në Lojërat Mesdhetare janë pjesëmarrës shtetet më të fuqishme që e dominojnë karatenë”, ka thënë Syla.